Plot 60 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë kanë marrë ndihmë mjekësore pas shfaqjes së simptomave të dyshuara për helmim ushqimor.
Policia e Shtetit bëri me dije përmes një njoftimi zyrtar se 31 kursantë u paraqitën gjatë mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit në Repartin Infektiv të QSUT-së, me simptoma si temperaturë dhe diarre. Pas marrjes së trajtimit mjekësor, ata janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, edhe 29 kursantë të tjerë janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë dhe më pas janë dërguar për kontroll e trajtim në QSUT.
Sipas Policisë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra nga ushqimet e konsumuara nga kursantët, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e situatës. Gjithashtu, kursantëve u janë kryer analizat dhe priten rezultatet përfundimtare.
Grupi hetimor vijon punën për të sqaruar nëse shkak i gjendjes së kursantëve ka qenë konsumimi i ushqimeve të kontaminuara apo ndonjë faktor tjetër.
Njoftimi i policisë:
Në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate. Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
© SYRI.net