Një ndjekje me shpejtësi të lartë në Milano ka përfunduar tragjikisht me vdekjen e Francesco Imprezzabile, efektiv i Policisë Lokale të qytetit. Sipas hetimeve të koordinuara nga prokurorja Francesca Crupi, ndjekja është zhvilluar me rreth 180 kilometra në orë, shpejtësi me të cilën lëvizte motori i policit në përpjekje për të ndaluar një Audi Q7.
Ngjarja është duke u hetuar dhe prokuroria pritet t’i paraqesë gjykatës kërkesën për vleftësimin e arrestimit dhe vendosjen e masës së sigurisë ndaj një 27-vjeçari me origjinë shqiptare, i cili aktualisht ndodhet në burgun San Vittore, i akuzuar për “arratisje të rrezikshme”.
Sipas rindërtimit të hetuesve, efektivi i policisë i është afruar automjetit tip Audi Q7 dhe i ka bërë shenjë për ndalim, duke aktivizuar sirenat dhe dritat sinjalizuese. Megjithatë, drejtuesi i mjetit nuk është ndalur dhe ka përshpejtuar, duke nisur një ndjekje me shpejtësi të lartë.
Ndjekja është përfunduar në mënyrë fatale, kur efektivi ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar gjatë operacionit.
Avokati mbrojtës i të dyshuarit, Fabrizio Cardinali, ka zhvilluar një takim me klientin e tij në burgun San Vittore. Sipas tij, i riu ndodhej në gjendje të rënduar emocionale dhe ka mohuar të ketë pasur kontakt me policin.
“Unë nuk e kam prekur. Kur më bënë shenjë të ndaloja, unë përshpejtova dhe kalova makina të tjera. Nuk pashë më askënd. Nuk kuptova çfarë ndodhi,” – ka thënë ai sipas avokatit.
27-vjeçari, gjithmonë sipas mbrojtjes, ka qenë i tronditur dhe në lot, duke kërkuar falje “shtetit dhe familjes” së efektivit të ndjerë.
Gjykata pritet të vendosë mbi vërtetimin e arrestimit dhe masën e sigurisë, ndërsa hetimet do të përcaktojnë përgjegjësitë ligjore dhe mënyrën si do të vazhdojë procesi penal.
Ndërkohë, Milano është në zi për humbjen e efektivit të Policisë Lokale, i cili humbi jetën gjatë detyrës në një ndjekje me shpejtësi ekstreme në rrugët e qytetit.
© SYRI.net