Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

Gruaja gjen biçikletën e vjedhur në FB, çon policinë në ‘takim’: Shqiptari dhe iraniani kërkojnë dënim më të lehtë

Gruaja gjen biçikletën e vjedhur në FB, çon policinë në ‘takim’: Shqiptari dhe iraniani kërkojnë dënim më të lehtë

20:19, 23/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 

Dy burra që në shkallën e parë ishin dënuar me nga 7 muaj burg për përfshirje në shitjen e një biçiklete të vjedhur në Gent, janë paraqitur sot në Gjykatën e Apelit, shkruajne mediat holandeze. Rasti u zbulua pasi pronarja e ligjshme e biçikletës e gjeti atë të shpallur për shitje në Facebook Marketplace dhe, në bashkëpunim me policinë, organizoi një plan për ta rikthyer.

Sipas dosjes, biçikleta e një gruaje ishte vjedhur në korrik 2025 pranë Stadskantoor të Gentit, në zonën Zuid. Pas denoncimit online të vjedhjes, viktima njoftoi policinë pasi e pa biçikletën e saj të shfaqur për shitje në internet.

Ajo u vendos në kontakt me shitësin dhe ra dakord për një takim, ku do ta blinte biçikletën për 50 euro. Në momentin e takimit, policia ndërhyri dhe arrestoi dy persona: një 40-vjeçar nga Irani dhe një 48-vjeçar nga Shqipëria.

I akuzuari shqiptar deklaroi në gjykatë se e kishte marrë biçikletën nga një person më i moshuar dhe synonte ta shiste për të siguruar të ardhura për ushqim dhe nevoja bazë. Ai pretendoi se nuk ishte në dijeni që objekti ishte i vjedhur.

Dy të pandehurit fillimisht u dënuan me 7 muaj burg dhe 240 euro gjobë për ‘heling’ (trafikim/ruajtje të sendeve të vjedhura), por kanë apeluar vendimin duke kërkuar ulje të dënimit.

Avokatja e të pandehurit shqiptar kërkoi një dënim më të butë, duke theksuar se klienti i saj nuk kishte precedentë penalë dhe kishte mbetur i pastrehë. Sipas saj, ai është integruar pjesërisht në një qendër pritjeje dhe ndjek rregullat e vendosura, përfshirë paraqitjen në mënyrë të rregullt tek mjeku.

Edhe i pandehuri iranian kërkoi pezullim të dënimit me burg. Avokati i tij deklaroi se klienti kishte qenë në një situatë të vështirë sociale dhe pa strehë në kohën e ngjarjes, duke shtuar se ai po përballej me një problem të varësisë nga droga dhe kishte rezultuar pozitiv për kokainë pas arrestimit.

Sipas mbrojtjes, ai po përpiqet të përmirësojë gjendjen e tij dhe ka nisur të mësojë gjuhën holandeze.

Prokuroria dhe gjykata shprehën skepticizëm për mundësinë që të pandehurit të respektojnë kushte alternative, duke theksuar se ata nuk kanë adresë të qëndrueshme. Prokurori kërkoi dënim efektiv me burg, duke kundërshtuar zbutjen e masës.

Vendimi përfundimtar pritet të shpallet më 31 gusht.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco