Trupi i pajetë i gjetur më 18 qershor në territorin e fshatit Cerrunjë, në lagjen Domush, i përket Eglant Koçit. Konfirmimi ka ardhur pas përgjigjes së analizave të ADN-së.
Trupi i 34-vjeçarit u gjet në gjendje dekompozimi, ndërsa identifikimi u përforcua edhe nga shenja e operacionit, numri 40 i këmbës dhe rrobat e zeza që kishte veshur, të cilat ishin të njëjtat me ato që mbante kur u pa për herë të fundit.
Pas konfirmimit zyrtar, familjarët pritet të tërheqin trupin nga morgu i Tiranës.
Sipas policisë, personi që ka marrë peng të riun është 41-vjeçari Armand Shakaj. Ai dyshohet se është ndihmuar edhe nga Enea Zyferi, 25 vjeç, i cili është vënë në pranga. Ky i fundit punonte si kamerier në lokalin në pronësi të Shakajt.
Policia ka arritur të gjejë motorin e Eglant Koçit, si dhe vendin ku dyshohet se ai është mbajtur. Nga kamerat e sigurisë është konstatuar se nga ai vend largohet me makinë Armand Shakaj dhe dyshohet se në automjet mund të ketë qenë edhe trupi i Koçit.
Sipas hetimeve, për të fshehur gjurmët, Shakaj ka lëvizur motorin e viktimës nga zona ku dyshohet se ndodhi krimi drejt zonës së 5 Majit, ku u gjet dy ditë më vonë.
Si u zhduk Eglant Koçi?
Eglant Koçi u zhduk më 4 qershor dhe për herë të fundit është parë në zonën pranë sheshit 'Wilson' në Tiranë, teksa lëvizte me motorin e tij me targë CT969.
Policia ka siguruar nga kamerat e sigurisë edhe disa pamje të lëvizjeve të tij me motor në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Koçi rezultonte i punësuar në një mobileri, por policia dyshon se ai ishte i përfshirë edhe në aktivitetin e kriptomonedhave, pistë mbi të cilën po fokusohen hetimet. Ndërkohë, kërkimet vijojnë për lokalizimin e Armand Shakajt dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
© SYRI.net