Sërish helmim tek Akademia e Policisë në Tiranë

Sërish helmim tek Akademia e Policisë në Tiranë

08:52, 25/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -
Rreth 30 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Tiranë dyshohet se janë prekur nga një helmim ushqimor, pasi mbrëmjen e djeshme kanë shfaqur simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke.
 
Sipas të dhënave paraprake, simptomat janë shfaqur rreth orës 21:00, ndërsa kursantët janë ndarë në grupe dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në ambiente spitalore. Disa prej tyre janë paraqitur për trajtim, ndërsa gjendja e tyre mësohet se po ndiqet nga mjekët.

Çfarë ndodhi  në Maj?

Ky është rasti i dytë i dyshuar për helmim ushqimor në një periudhë të shkurtër në Akademinë e Sigurisë. Në muajin maj, 52 studentë përfunduan në spital pasi konsumuan vaktin e drekës në ambientet e akademisë.
 
Nga analizat e kryera pas ngjarjes së parë, rezultoi se disa produkte ushqimore, mes tyre makaronat, ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.
 
Në atë rast, studentët kishin konsumuar një menu të përgatitur nga kompania e kateringut SORI-Al, e cila furnizon Akademinë e Sigurisë me tre vaktet ditore. Menuja përfshinte sallatë me perime të ziera, gjellë me patate ose tavë me presh, makarona ose pilaf me karrotë, mish, biskota, banane dhe bukë.
 
Pas helmimit të parë, autoritetet nisën hetimet. Administratorja e kompanisë SORI-Al, Alma Tafani, u shpall në kërkim, ndërsa u arrestuan kuzhinieri Kujtim Ballgjini dhe teknologia e ushqimit Kristjana Plaka. Një tjetër teknologe ushqimi u procedua në gjendje të lirë.
 
Gjithashtu, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kreu kontrolle në ambientet ku përgatitej ushqimi, pranë garnizonit “Skënderbej” në Tiranë. Gjatë verifikimeve u morën mostra për analiza laboratorike dhe u bllokuan produkte ushqimore, ndërsa kompanisë dhe subjektit përkatës iu vendosën masa administrative për mungesë të sistemit të plotë të gjurmueshmërisë.
 
Në hetimet e mëparshme u kontrolluan edhe produktet e pranishme në Akademinë e Sigurisë, ku u morën mostra nga ushqime si pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos.
 
Tashmë pritet që autoritetet të kryejnë verifikime të reja për të përcaktuar nëse edhe rasti i fundit lidhet me ushqimin e konsumuar nga kursantët dhe nëse ka një burim të përbashkët kontaminimi.
 
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco