Ka dështuar sërish seanca gjyqësore e radhës në themel ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në masën e paraburgimit. Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e katër avokatëve mbrojtës, përfshirë dy avokatët e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, të cilët kanë njoftuar gjykatën se ndodheshin në një proces tjetër gjyqësor.
Gjatë kësaj seance, është zbardhur edhe një deklaratë e lënë nga vetë Veliaj, e cila u lexua nga relatorja e çështjes. Ai ka refuzuar kategorikisht të jetë i pranishëm në sallë, duke e cilësuar qëndrimin në kafazin e qelqtë si të paligjshëm, antikushtetues dhe thellësisht diskriminues. Pavarësisht mungesës fizike, mbrojtja ka theksuar se i pandehuri ka autorizuar avokatët për përfaqësim, duke konsideruar të panevojshme praninë e tij në ato kushte.
Gazetari Fatjon Gjinaj tha në Syri tv se, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pezullimin e afateve të paraburgimit. Kjo lëvizje bën që periudha nga kjo seancë deri në atë të radhës të mos i llogaritet të pandehurit si kohë e vuajtjes së dënimit, një kriter që zakonisht favorizon të paraburgosurit (ku një ditë paraburgim llogaritet baras me një ditë e gjysmë dënim). Kjo kërkesë e prokurorisë është kundërshtuar ashpër nga avokati mbrojtës Plarent Ndreca, i cili e ka cilësuar lëvizjen si të paligjshme dhe ka paralajmëruar dërgimin e çështjes deri në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Strasburgut.
Gjykata ka rrëzuar gjithashtu edhe kërkesën e palës mbrojtëse për lejimin e mediave për të regjistruar dhe transmetuar seancën, duke theksuar se mbetet në fuqi vendimi për ta zhvilluar atë pa praninë e kamerave, pavarësisht pretendimeve të avokatëve për transparencë publike. Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet më datë 16 qershor, në orën 10:00.
Fatjon Gjinaj: Ka përfunduar pa sukses seanca gjyqësore e radhës në themel për kryetarin e bashkisë së Tiranës të arrestuar prej shkurtit të vitit të kaluar Erion Veliaj. Katër avokatë munguan, mes të cilëve dy avokatët e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxës, pasi paraqitën dijeninë dhe vënien në dijeni të gjykatës se ndodheshin në një proces tjetër gjyqësor. Ndërkohë që prokurori i posaçëm kërkoi pezullimin e afateve të paraburgimit për zotin Veliaj dhe kjo bëhet në mënyrë të përsëritur në fakt sa i takon seancave gjyqësore, i vetmi i arrestuar në kuadër të dosjes ndaj tij në një grup të konsiderueshëm të pandehurish që janë marrë nga SPAK dhe miratuar nga gjykata.
Ndërkohë që mbrojtja e Veliajt pretendoi se nuk ekzistojnë shkaqe të ligjshme për të pezulluar afatet e paraburgimit ndaj zotit Veliaj për shkak se sipas tij, kryebashkiaku dhe i mbrojturi prej tij ka paraqitur një deklaratë për gjykatën ku thotë se nuk do të marrë pjesë në gjykim, por nga ana tjetër i jep avokatit të drjtën për të përfaqësuar dhe presupozohet i mbrojtur dhe i përfaqësuar në procesin gjyqësor. Erion Veliaj i kishte shkruar një deklaratë për gjykatën e cila u lexua nga relatorja Elsa Ulliri: "Nuk dua të paraqitem sepse mbajtja në kafaz është e paligjshme, antikushtetuese dhe diskriminuese". Mbi këtë pikë Plarent Ndreca vuri theksin duke thënë se do t'i drejtohet të gjitha gjykatave për t'u ankuar deri në Kushtetuese, madje edhe në Strasburg, sa i takon pretendimit të tij se pezullimi i afateve të paraburgimit është i paligjshëm dhe i panevojshëm ndaj zotit Veliaj. Por çfarë janë afatet e paraburgimit? Një i arrestuar i llogaritet deri në shpalljen e vendimit përfundimtar nga gjykata koha e paraburgimit me një ditë e gjysmë nga një ditë që do të llogaritej pas një vendimi dënimi të formës së prerë. Dhe pezullimi i afateve nga seanca, supozojmë rastin konkret e sotme deri në seancën e ardhshme në 16 qershor, nuk i përllogaritet si kohë e vuajtjes së dënimit që është një kriter i rëndësishëm favorizues për të paraburgosurit për t'ju përllogaritur te vendimi përfundimtar nëse do të shpallet fajësi dhe do të jepet dënim ndaj një të pandehuri, në rastin konkret ndaj zotit Veliaj.
Seanca e radhës u la në datën 16 qershor, ora 10, ndërkohë që mbrojtja e Veliajt kishte edhe një ankim tjetër sa i takon refuzimit të mediave për të regjistruar dhe transmetuar seancën, duke e konsideruar publicitetin gjyqësor Palerent Ndreca si të ligjshëm, të nevojshëm dhe të përshtatshëm me kushtet kohore në të cilat jetojmë, zhvillimit teknologjik, por nuk iu mor parasysh nga gjykata dhe kjo e fundit relatoi se mbetet në fuqi vendimmarrja që kishte marrë më herët në nisje të seancës.
© SYRI.net