Lajmi i fundit

TASK FORCE/ PD çon në SPAK Ramën dhe Gonxhen

Piranjat/ Aksidentet 'pushtojnë' oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

22:35, 16/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një familje në fshatin “Fshat” të Bashkisë Klos thotë se jeton çdo ditë mes frikës dhe rrezikut, pasi segmenti i Rrugës së Arbrit pranë banesës së tyre është kthyer në një pikë aksidentesh të vazhdueshme. Banori Klodian Doka denoncon se pas ndërtimit të rrugës, mjetet dalin shpesh nga segmenti dhe përfundojnë pranë oborrit të shtëpisë së tij, aty ku luajnë edhe fëmijët.

“Po më rrezikohet jeta e fëmijëve. Një ditë mund të ndodhë tragjedi”, shprehet ai, ndërsa tregon barrierat e dëmtuara nga përplasjet e shumta dhe gjurmët e aksidenteve pranë banesës.

Sipas Klodianit, rruga ekzistuese dikur kishte pak lëvizje dhe nuk paraqiste rrezik, por sot përdoret nga një volum i madh trafiku që lidh zonën e Burrelit, Klosit dhe fshatrave përreth. Ai pretendon se segmenti nuk është përshtatur për këtë ngarkesë dhe se barrierat mbrojtëse kanë dalë jashtë funksioni.

Banori thotë se ka ndërhyrë me shpenzimet e veta duke ngritur mur dhe pengesa me gurë e beton, pasi sipas tij askush nuk mori masa.

“Më ka kushtuar rreth 5 milionë lekë dhe i kam bërë të gjitha vetë”, tregon ai.

Pavarësisht kësaj, vetëm pak ditë më parë një tjetër automjet ka shkatërruar pengesat e improvizuara dhe për pak ka përfunduar në oborrin e banesës. “Kur bie shi, rruga bëhet vaj dhe makinat nuk mbajnë frenat”, shprehet Klodiani, duke shtuar se aksidentet janë bërë pothuajse të përditshme.

Për situatën ka reaguar edhe kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, e cila pranon rrezikun që paraqet segmenti për familjen. Ajo deklaron se rruga është nën përgjegjësinë e ARRSH-së dhe kompanisë që ka kryer punimet, por premton se do të kërkojë zyrtarisht ndërhyrje urgjente.

“Ka shumë të drejtë sepse rrezikohet bashkë me fëmijët. Nëse makina do të përfundonte në oborr dhe aty do të ishin fëmijët, do të ishte tragjedi”, u shpreh kryetarja.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i kompanisë “Gjoka” deklaroi se barrierat janë zëvendësuar disa herë dhe se zgjidhja më e mirë tashmë mbetet ndërtimi i një muri betoni mbrojtës. Sipas tij, ndërhyrja mund të realizohet brenda një muaji, nëse merret miratimi nga ARRSH.

Ndërkohë, familja Doka vijon të jetojë mes frikës së aksidentit të radhës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme përpara se situata të përfundojë në tragjedi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco