Ekzekutimi i 50-vjeçarit Edmond Sula në Bërxullë të Tiranës dyshohet të jetë bërë nga vrasës me pagesë, të cilët kanë qëlluar me snajper nga një largësi e konsiderueshme. Edmond Sula, në momentin e vrasjes, shoqërohej nga një person, i cili nuk ka dëgjuar të shtëna, por vetëm ka parë mikun e tij të bjerë në tokë pasi u qëllua. Edmond Sula njihej në zonë si agjent imobiliar dhe njeri me influenca politike.
Syri TV ka siguruar foton e viktimës Edmond (Ali) Sula, 50 vjeç, i cili u ekzekutua mesnatën e 11 korrikut në Bërxullë të Vorës, ndërsa detaje të tjera kanë dalë nga atentati.
Sipas burimeve, në momentin e ngjarjes, Sula shoqërohej nga një tjetër person i afërt, teksa po hynte në banesë, kur është qëlluar me një plumb nga autorët.
Ka qenë pikërisht ky shtetas që ka konstatuar rënien e Edmond Sulës në tokë dhe më pas gjakosjen në trup, por nuk ka dëgjuar të shtënë arme. Ndërkohë, policia nuk ka asnjë pistë, ndërsa zbardhja e ngjarjes vështirësohet nga errësira dhe mungesa e kamerave të sigurisë në zonë. Në orët e para të mëngjesit të 12 korrikut, grupi hetimor u rikthye në vendin e ngjarjes, ku gjeti një gëzhojë, që dyshohet se ka mbetur nga e shtëna e vetme që iu drejtua nga pas kurrizit Edmond Sulës dhe predha i depërtoi tejpërtej trupit, duke i prekur zemrën dhe duke i sjellë vdekjen e menjëhershme.
Arma dyshohet të ketë qenë e sofistikuar dhe gjuajtësi me eksperiencë, i cili është vendosur në një perimetër të largët, 60-100 metra nga shënjestra, dhe për këtë arsye ngrihet dyshimi që të jetë përdorur snajper ose armë me dylbi. Grupi hetimor ka dyshime se autori mund të ketë qenë vrasës me pagesë, i cili është porositur nga një tjetër person për ekzekutimin e 50-vjeçarit.
Nuk përjashtohet mundësia që në vendngjarje mund të ketë pasur më shumë se një autor, ku, përveç ekzekutorit, pak metra më larg mund të ketë qenë një tjetër person, duke e pritur për ta larguar nga vendngjarja pas krimit.
Për këtë arsye janë sekuestruar me dhjetëra kamera sigurie për të gjurmuar ndonjë automjet të dyshimtë në rrugët hyrëse dhe dalëse të Bërxullës. Pyetja e dëshmitarëve apo personave të afërt me viktimën nuk ka dhënë indicie të forta për hetuesit. Edmond Aliu, që përdorte edhe mbiemrin Sula, prej vitesh njihej në zonën e tij për influenca politike dhe shtetërore, i angazhuar, thonë burimet, edhe në fushata elektorale për kandidatë të caktuar.
Ai gjithashtu angazhohej vazhdimisht në institucione që merren me çështje pronësie, pasi merrej me shitblerje pronash, çka jo pak herë i kanë sjellë konflikte.
Policia këqyri me imtësi skedën e tij në regjistrat penalë, ku, ndryshe nga sa u raportua në fillim, mblodhi të dhëna për të paktën 18 raste, ku rezulton i ndjekur penalisht, i kallëzuar apo denoncuar për episode dhune apo presioni, si dhe konflikte pronësore.
Ndonëse fokusi kryesor janë konfliktet e mëparshme, që mund të lidhen me pronat, ka edhe një tjetër pistë hetimi, që është e shkuara e tij jashtë vendit, pasi, jo zyrtarisht, në strukturat ligjzbatuese kanë mbërritur të dhëna për precedentë në një nga vendet e Bashkimit Europian.
© SYRI.net