Familja Sadushi në fshatin Orizaj të bashkisë Berat ka hapur sot dyert e mortit pas humbjes tragjike të djalit të tyre të vetëm, 15-vjeçarit Fatjon Sadushi, i cili u mbyt mesditën e djeshme në ujërat e lumit Osum.
Familjarë, miq, të afërm dhe shokë të të riut kanë shkuar në banesën e familjes Sadushi për t’u shprehur ngushëllimet prindërve dhe gjyshërve të 15-vjeçarit. Ndërkohë, autopsia mjeko-ligjore ka konfirmuar se shkaku i vdekjes ka qenë mbytja.
Banorët e zonës shprehen se tragjedia mund të jetë shkaktuar nga gropat e krijuara në lumë pas vendosjes së pritave për mbrojtjen e tokave bujqësore nga përmbytjet. Sipas tyre, këto struktura kanë krijuar gropa të thella, të mbuluara me gjanë, ku dyshohet se ka ngecur 15-vjeçari dhe nuk ka mundur të dalë më mbi sipërfaqe.
“Ngeci në një nga gropat me ujë dhe me gjanë dhe nuk doli dot mbi ujë”, shprehen banorët, duke ngritur shqetësime për sigurinë në këtë pjesë të lumit.
Sipas të afërmve dhe fqinjëve, Fatjon Sadushi nuk dinte not. Ai kishte hyrë në lumë për t’u freskuar pasi kishte qenë duke ndihmuar të atin në vaditjen e parcelës me misër.
Banorët e përshkruajnë familjen Sadushi si një familje të urtë dhe të respektuar në fshat, ndërsa humbja e 15-vjeçarit ka tronditur gjithë komunitetin.
Mes dhimbjes dhe lotëve, prindërit Ajron dhe Floresha Sadushi, së bashku me familjarë, të afërm dhe miq, përcollën sot për në banesën e fundit 15-vjeçarin Fatjon Sadushi, në Varrezat e Burdulliasit në Berat.
Ngjarja e rëndë ndodhi dje në fshatin Orizaj të bashkisë Berat. 15-vjeçari ishte duke punuar me të atin në arën me misër, kur hyri në lumin Osum për t’u freskuar dhe për t’u larë, por u mbyt.
I ati i tij ka hyrë menjëherë në ujë për ta shpëtuar dhe ka mundur ta nxjerrë në breg, por i mituri nuk kishte më shenja jete.
Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe ambulanca, e cila transportoi trupin e 15-vjeçarit drejt Morgut të Spitalit Rajonal Berat, ku iu krye ekspertiza mjeko-ligjore. Sipas konkluzionit të autopsisë, vdekja ka ardhur si pasojë e mbytjes.
© SYRI.net