Babai i 17-vjeçares së dhunuar nga tre shoqet e saj në Fier, video që u bë virale në media dhe rrjetet sociale, duke tronditur opinionin publik dhe nxitur hetimet, rrëfeu sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24, detaje nga ngjarja e rëndë e 8 qershorit.
Shoqet, dy 15-vjeçarer dhe një 20-vjeçare, e futën në kurth të miturën me një surprizë dhe aty e dhunuan në mënyrë barbare, duke e goditur me grushte, shkelma dhe shkulur flokët.
Policia nisi hetimet, shoqëroi tre të dyshuarat dhe Gjykata dha masat e sigurisë, ku më e madhja është arrestuar dhe dy të miturat ndiqen në gjendje të lirë.
Babai rrëfeu edhe se si e mësoi ngjarjen shokuese, pasi vetë ndodhej për punë në Orikum.
“Vajza tani është pak më mirë. E kam marrë gocën në telefon rastësisht, kisha një parandjenjë në fakt. I thashë ku je. Tha kam dalë. E mora përsëri, se më mbylli telefonin. Pastaj më tha po bëj serum, jam në spital. E pyeta çfarë ke? Më tha se nuk ndihej mirë, i thashë nuses shko në Fier se goca është sëmurë, unë isha në Orikum në punë dhe më thanë se e kishin rrahur gocën, më tha kunata”, u shpreh ai.
Më tej tregon se vajkza i kishte njohur autoret shoqe pas shoqesh dhe se në Fier ndiqte një kurs parukerie, por ato e futën në kurth dhe dhunuan.
“Më thanë se ishte shoqe me shoqe, për të sqaruar diçka, më orën, i thanë do të sqarojmë diçka dhe aty e çuan te shtëpia dhe ndodhi ajo që keni parë. Nuk kanë thënë gjë, as gruas time nuk i kanë thënë gjë. Kunata nuk më tregoi videon, thjesht me tha se të kanë rrahur gocën, ishte hedhur video në çat dhe i kishin thënë disa djem 15-vjeçarë që ishte dhunuar, për videon, se ishte shpërndarë”, vijoi ai rrëfimin në një bisedë telefonike për emisionin.
Më tej ka ardhur edhe denoncimi nga vajza e shoqëruar nga nëna në Policinë e Fierit. Babai thotë se aty vetëm e kanë përcjellë, teksa ka informacion se vetëm një prej tyre është ndaluar. Ai rrëfen se vajza ka shumë shenja dhune, sy të nxirë dhe shkulje flokësh, të pësuara nga dhuna barbare, kurse në spital i bënë veç një serum.
“Kemi denoncuar por as u morën masa, asgjë, fare, fare. Vajza kishte shenja kur bëmë denoncimin, vetëm shenja. Pas veshit, rënie flokësh, sytë të nxirë, pas qafës shenja. Mjekët e kishin përcjellë me serum atë, vetëm kaq dhe ‘hajt mirupafshim”. Vajti nusja dy-tre herë në polici e i kishin thënë çfarë bën këtu ti, ik tani se merrmi ne me të tani i thanë. Di që njëra nga ato është brenda, kaq. Vajza i njihte vetëm shoqe pas shoqesh. Vetëm njëra prej tyre. Vajza ndiqte kurs parukerie atje. I kam bërë edhe vizita të doktori, me tha se nuk ka gjë tjetër, gjëra adoleshence. Do i bëjmë edhe një vizitë edhe në Tiranë”, tha babai i shqetësuar për atë që kishte ndodhur.
Ai apeloi për ndjekjen e rastit, teksa u shpreh se e bija tani ndihej pak më mirë.
Në seancën për verifikimin e masave të sigurisë, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur masën “arrest me burg” për 20-vjeçaren e dyshuar si e përfshirë në ngjarje.
Për njërën nga dy 15-vjeçaret u konfirmua masa “arrest në shtëpi”, ndërsa për tjetrën gjykata vendosi “shtrim të përkohshëm në spital psikiatrik”.

© SYRI.net