Katër persona janë dënuar nga Gjykata e Posaçme për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.
Ndoc Guri, pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, është dënuar me 2 vite e 8 muaj shërbim prove. Me të njëjtën masë është dënuar edhe Arben Kolaj, të cilit i është pezulluar ekzekutimi i dënimit dhe është vënë në provë për të njëjtën periudhë, me detyrimin që të mos shoqërohet me persona të dënuar dhe të mos kryejë vepra të tjera penale.
Ndërkohë, Ndrek Lera është dënuar me 4 vite shërbim prove, ndërsa Ilir Sokoli do të kryejë 120 orë punë në interes publik, brenda gjashtë muajve nga marrja formë të prerë e vendimit.
Sipas SPAK, Ndoc Guri dhe Arben Kolaj akuzohen për korrupsion pasiv në zgjedhje, ndërsa Ndrek Lera dhe Ilir Sokoli për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme zbuluan një skemë të korrupsionit zgjedhor gjatë zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ku, sipas akuzës, janë ofruar 5 mijë lekë në këmbim të votës.
SPAK thotë se pagesat janë bërë si drejtpërdrejt te votuesit, ashtu edhe përmes personave të tretë që angazhoheshin për të ndikuar te zgjedhës të tjerë.
Sipas organit të akuzës, Ndrek Lera ka pasur një rol kyç në organizimin e kësaj skeme, duke u përfshirë në biseda për premtimin dhe shpërndarjen e parave në favor të një subjekti politik, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.
Prokuroria pretendon se Lera dhe Ilir Sokoli u kanë dhënë para Ndoc Gurit dhe Arben Kolajt, në kuadër të kësaj skeme të korrupsionit zgjedhor.
© SYRI.net