Kanë kaluar dy javë nga publikimi i historisë së largimit të padrejtë nga puna të katër sanitareve nga shtëpia e të moshuarve ‘’Joshua Centër’’ në Tiranë.
Adriana, Mimoza, Dhurata dhe Meribani u pushuan me një telefonatë nga drejtoresha e qendrës, Majlinda Treska. Por përtej kësaj padrejtësie të denoncuar në Inspektoriatin e Punës, katër zonjat, treguan gjithashtu edhe një anë të errët të kësaj strukture, që kishte të bënte me kushtet e mjerueshme, që nga amortizimi i ndërtesës, mungesa e higjienës, apo qëndrimi në të njëjtin ambient i të moshuarve me probleme të shëndetit mendor.
Në takimin e vetëm që patëm me të, zonja Treska refuzoi jo vetëm të përgjigjej për largimin e padrejtë të katër ish-punonjëseve, por gjithshtu nuk dha asnjë përgjigje për situatën në institucionin që me letra është në pronësi të djalit të saj Parid Treska. Ndërkohë, pas publikimit të emisionit, pati disa persona të cilët vendosën të ndajnë me ne eksperiencën e të afërmve të tyre të moshuar në këtë strukturë.
Një zonjë na rrëfen situatën e rëndë që kishte përjetuar me gjyshin e saj, të akomoduar në këtë qendër. Ajo shprehet se i moshuari ka kërkuar me ngulm që ta largojnë që aty, duke treguar se e linin pa ngrënë dhe kishte ftohtë. Ndërkohë zonja shton se gjyshit të saj, i jepnin ilaçe për gjumë duke i rrezikuar shëndetin, ndërsa shprehet se gjatë qëndrimit në azil, gjyshi i saj kishte humbur 35 kilogramë nga kequshqyerja.
Një denoncim i detajuar, me akuza të rënda për një institucion që më shumë se shtëpi pritjeje, ngjan me një kamp përqëndrimi nazist. Dhe kjo bindje na shtohet kur kuptojmë se rasti që sapo dëgjuam nuk është i vetmi. Pasi një tjetër denoncim tronditës na erdhi.
Këtë radhë bëhet fjalë për zonjë të verbër, e cila rrëfen mes lotësh dramën e saj në azilin ‘’Joshua Centër’’. Pavarësisht problemit të saj, ajo tregon se u vendos në katin e tretë të godinës, në dhomë kishte një person me probleme të shëndetit mendor, ndërsa qëndronte në qendër si e burgosur.
Ajo tregon se drejtoresha Majlinda Treska ka ushtruar dhunë psikologjike të vazhdueshme ndaj saj, ndërsa nuk e linin as të dilte në oborr. Një akuzë shumë e rëndë e bërë nga zonja është, keqmjekimi. Ajo shprehet se më të hyrë në azil, i kishin marrë ilaçet që mbante me vete, duke i dhënë ilaçe nga farmacia e azilit, ndërsa shton se i janë dhënë ilaçe për gjumë, duke i shkaktuar dhe probleme me shëndetin.
‘’Ajo nuk më lejonte që të zbrisja nga kati i tretë tek kati i parë ose tek lulishtja. I thashë atëhere më vendos në katin e parë, ajo nuk pranoi. Jetoja në një dhomë me llamarina mbi vete, çfarë binte jashtë, binte brenda. Kur frynte era i ngrinte llamarinat dhe krijonin boshllëk, prandaj dhe binte shiu mbi krevat. Dritaret tek dhoma ime nuk hapeshin kurrë, u thoja dhe më thonin na kanë humbur çelësat. Ne ishim në një plogështi, me myk nga muret dhe myk nga shpirti i zemrës së Majës’’, kjo është vetëm një pjesë nga rrëfimi tronditës i zonjës, të cilin mund ta ndiqni të plotë në kanalin e Piranjave në Youtube.
Por çfarë kanë bërë institucionet për këtë rast. Ne takuam drejtorin e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor të Tiranës, Eris Kodra, i cili na premtoi se do të ngrinte një grup inspektimi, madje se do të vinte dhe vetë në azilin ’’Joshua Centër’’, por nuk u duk gjëkundi, ndërsa grupi i inspektimit, u futën në qendër si hajdutë.
Ndërsa tre inspektorët, e nisni inspektimin në oborrin e vogël të azilit nën shoqërinë e drejtoreshës Majlinda. Por ne nuk mund ta humbim këtë moment, edhe pse me pak sakrificë, për tu përballur sërish me zonjën Treska, por ashtu si herën e parë nuk morëm asnjë përgjigje.
Ndërkohë një ditë pas inspektimit të kryer në azilin ’’Joshua Centër’’, na erdhi dhe përgjigjia nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, Tiranë, ku rënditen shkeljet e kontatuara nga grupi i inspektimit. Sipas ISHSH-së, në ambientet e qendrës kishte prani të lagështirës dhe mykut, banaku i gatimit ishte ndërtuar me material të papërshtatshëm si dhe kishte mungesë të dokumentacionit. Ndërsa ndaj subjektit është vënë dhe masa administrative, ’’Paralajmërim’’, ndërkohë që do të kryhet edhe një riinspektim për të parë nëse situata është përmirësuar.
Ndërsa ne do e ndjekim deri në fund këtë situate, me apo pa bashkëpunimin e institucioneve, që jetën e personave më në nevojë e kanë thjesht statistikë për të treguar se ne e bëmë punën. Diçka duhet të jetë e qartë… do na keni gjithmonë përballë./Piranjat/
© SYRI.net