Gjykata e Posaçme kalon për gjykim dosjen Meta-Kryemadhi

12:10, 18/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Posaçme kaloi këtë të mërkurë për gjykim dosjen ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, mbylli javën e kaluar shqyrtimin e çështjes dhe ditën e sotme vendosi që të kalojë për gjykim dosjen e kreut të PL, Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi. 

Pas një procesi 8-mujor hetimesh, SPAK dorëzoi kërkesën për gjykim ndaj Metës e Kryemadhit, të cilët akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në këtë proces të pandehur janë edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Meta dhe Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funksionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvendësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco