Një pikë këmbimi valutor në një qendër tregtare tek zona e 5 Majit është grabitur paraditen e kësaj të ënjtje. Një person i maskuar, një foto të të cilit syri televizion e siguroi ekskluzivisht, nën kërcënimin e armës ka mundur të marr 2 milionë lekë të vjetra dhe është larguar me motor. Autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Kjo është grabitja e dytë me armë që ndodh në kryeqytet në vetëm pak ditë, pas asaj që ndodhi në një bankë të nivelit të dytë pranë kompleksit Delijorgji.
Syri tv
Këto janë momentet kur një person i maskuar me armë zjarri në dorë grabit një pikë këmbimi valuator në një qendër tregtare në zonën e 5 Majit në Tiranë. Qëndra tregtare ka qenë e mbipopolluar dhe kudo e monitoruar me kamera, por kjo nuk e ka penguar agresorin të kryejë misionin e tij.
Dhe një nga këto kamera të qendrës tregtare, ka fiksuar edhe pamjet e autorit duke kaluar në rrugë. Kjo është foto ekskluzive, të cilën e ka siguruar edhe syri televizion, ku shihet fytyra e të riut.
Ai ka hyrë brenda pikës dhe duke kërcënuar me pistoletë, ka marrë një shumë parash dhe është larguar me motor në rrugicat e ‘5 Majit’.
Dyshohet se shuma është rreth 2 milionë lekë të vjetra, teksa Syri Tv ka siguruar dhe pamjet ku duket autori duke grabitur pikën e këmbimit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore përreth.
Forcat e Policisë së Shtetit po krehin zonën dhe po vijojnë kontrollet me qëllim kapjen e autorit.
Vetëm pak ditë më parë, një sipërmarrës tentoi të kryente gjithashtu një grabitje me armë zjarri në një bankë të nivelit të dytë pranë kompleksit Delijorgji. Edhe pse sipërmarrësi arriti të merrte shumën e parave nën kërcënimin e armës ai u ndalua nga policia, ndërsa pas marrjes në pyetje deklaroi se grabitjen e kreu pasi kishte borxhe të cilat duhet ti shlyente.
© SYRI.net