Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të premteje në aksin e vjetër Fier–Vlorë, në vendin e njohur si ‘Kthesa e Qarrit’, ku janë përplasur një automjet tip ‘BMW’ dhe një kamionçinë e ngarkuar me ushqim për bagëti.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në të dy mjetet. Si pasojë e aksidentit, është plagosur pasagjeri që udhëtonte në kamionçinë.
I plagosuri është transportuar me urgjencë nga shërbimi i autoambulancës drejt Spitalit Rajonal Fier, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Deri në këto momente nuk ka të dhëna zyrtare mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Fierit, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë nisur punën për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Për shkak të përplasjes, qarkullimi në këtë segment të aksit të vjetër Fier–Vlorë u vështirësua për disa minuta, ndërsa policia ndërhyri për të disiplinuar trafikun dhe për të rikthyer normalitetin në lëvizjen e automjeteve.
Hetimet për këtë aksident vijojnë.
© SYRI.net