Prej 9 ditësh, vijon të jetë i mbyllur qarkullimi në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas pas rrëshkitjes masive të dheut, e cila shembi rrugën në zonën e quajtur Arrat e Gurës në Dragostunjë.
Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim dhe probleme të theksuara në jetën e banorëve të fshatrave të bashkisë Librazhd dhe Prrenjas, të cilët janë të detyruar të ecin rreth 3 kilometra në këmbë për shkak të perimetrit të sigurisë, ku nuk lejohet asnjë automjet.
Banorët shprehen se kjo situatë është e papranueshme dhe se askush nuk mban përgjegjësi për vështirësitë që u krijohen. Një prej tyre shton se mungojnë edhe sinjalizimet drejtuese për shoferët, të cilët shpesh ngatërrojnë drejtimin dhe përfundojnë duke u futur në pyll.
Në një deklaratë për mediat, drejtori i ARRSH, Ami Kozeli, njofton se punimet për devijimin e rrjedhës së lumit Shkumbin kanë përfunduar dhe pritet që të hënën të dalë një konkluzion për afatin e hapjes së rrugës provizore. Ndërsa administratori i Hekurudhave shprehet se i gjithë rrjeti hekurudhor do të kalojë një rehabilitim total për Koridorin VIII.
Shërbimi Gjeologjik vijon punimet dhe studimet mbi terrenin, ndërkohë që ata që vuajnë më shumë këtë situatë janë qytetarët dhe banorët e zonës, të cilët përjetojnë vështirësi jo vetëm psikologjike, por edhe financiare.
© SYRI.net