Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar nga Policia e Vlorës falë punës së thelluar hetimore dhe informacioneve operative të siguruara në kohë.
Më datë 8 shkurt 2026, strukturat e hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë ushtruar kontrolle të detajuara në disa akse rrugore dhe në territorin e fshatit Babicë e Madhe, pas dyshimeve se dy automjete do të përdoreshin për kryerjen e një veprimtarie kriminale.
Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të fshehura në një sipërfaqe ullishteje dy automjete të dyshuara të vjedhura, konkretisht një automjet tip “Nissan” dhe një automjet tip “Audi Q5”, të dy me targa të huaja. Në afërsi të tyre janë gjetur dhe sekuestruar edhe tre bidona me lëndë djegëse (benzinë).
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se automjetet do të përdoreshin për kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale. Mjetet dhe provat e tjera materiale janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe po i nënshtrohen ekzaminimeve shkencore.
Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe dokumentimin ligjor të autorëve të përfshirë.
© SYRI.net