Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

Vrau bashkëatdhetarin në Greqi për t'i marrë çekun 150 mijë €, Dritan Hoxha dënohet me 22 vite burg

Vrau bashkëatdhetarin në Greqi për t'i marrë çekun 150 mijë €, Dritan Hoxha dënohet me 22 vite burg

19:45, 09/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Elton Qyno - Syri

Është dënuar me 22 vite burgim, Dritan Hoxha, personi që së bashku me Besim Besimaj, kanë rrahur për vdekje shtetasin shqiptar në Greqi, Andon Veshaj.

Për shkak se në këtë rast kriminal, aktet hetimore janë transferuar nga Greqia në Shqipëri, vendimi i dënimit është dhënë nga gjykata e Tiranës, ku Dritan Hoxha u deklarua fajtor dhe dënuar me 22 vite burgim.

Vendimi është dhënë nga treshja e gjyqtarëve, Kleida Meci, Lorena Çabej dhe Amarilda Sulaj, të cilët pranuar kërkesën e prokurorit të çështjes Ritvan Suka, i cili në pretencën e tij kërkoi 22 vite burgim për të pandehurin Dritan Hoxha.

Avokati i këtij të fundit, është larguar nga salla e gjyqit duke mos dhënë konkluzjonet përfundimtare. Por për shkak se gjykata kishte caktuar avokatë mbrojtës kryesisht, konkluzjonet përfundimtare për interesat juridike të këtij të pandehuri, janë lëxuar në sallën e gjyqit nga avokati i caktuar nga gjykata.

Avokati kryesisht kërkoi deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Dritan Hoxha, me argumentin se provat e mbledhura në dosjen penale janë të pamjaftueshme për të provuar fajësinë e Hoxhës në këtë ngjarje të rëndë.

Por kërkesa e mbrojtjes u refuzua nga gjykata duke e dënuar Dritan Hoxhën me 22 vite burgim. Dy vite më parë, Hoxha u kap në Levan të Tepelenës, gjatë një operacioni të përbashkët mes policisë së Tiranës dhe asaj të Gjirokastrës.

Ndaj tij ishte lëshuar nga autoritetet e drejtësisë Greke, një masë sigurimi “arrest në burg” pasi akuzohej se së bashku me një person tjetër, futën në kurth dhe rrahën për vdekje bashkëatdhetarin e tyre në Greqi më 2010.

Hetimet për këtë ngjarje kishin rinisur pas kallëzimit të depozituar nga xhaxhai i viktimës në vitin 2017, të cilat zbuluan më tej edhe gjurmët e krimit në bashkëpunim me organet ligjzbatuese helene.

Krimi ndodhi në Larisa, teksa viktima Andon Veshaj posedonte një lokal ku kishte pirë më autorin, Dritan Hoxha. Natën e ngjarjes Veshaj kishte me vete edhe 3 çeqe me vlerë 150 mijë euro, kurse trupi i tij u gjet brenda makinës dhe i braktisur.

Hetimet e këtij rasti janë transferuar në Shqipëri për veprime të mëtejshme, teksa më 10 korrik 2024 ishte arrestuar i dyshuari Dritan Hoxhaj, që tashmë është dënuar në shkallën e parë me 22 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim.

Vrasja ka ndodhur në 17 maj në vitin 2010 në zonën e Larisës, në Greqi, ku Dritan Hoxha në bashkëpunim me Besim Besimaj, kanë dhunuar fizikisht Andon Veshaj, i cili si pasojë e dëmtimeve ka ndërruar jetë.

Dy autorët pas vrasjes e kanë futur trupin e viktimës në mjetin e tij dhe e kanë lëvizur atë në një vend tjetër, të pabanuar, ku është gjetur nga autoritetet policore greke, ditën e nesërme, më datë 18 maj 2010.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco