Tre banesa janë përfshirë nga flakët mbrëmjen e së hënës në lagjen “Loni Dhamo” në qytetin e Lushnjës. Banesat ndodhen pranë nënstacionit elektrik të qytetit, çka ka shtuar shqetësimin për përhapjen e zjarrit.
Sapo janë shfaqur flakët e para, banorët kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës. Falë reagimit të shpejtë, banorët kanë arritur të dalin në kohë nga banesat dhe fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Një vajzë është dërguar me ambulancë në spital pasi është ndjerë keq nga tymi i dendur. Ndërkohë, forcat zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e plotë të flakëve dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në banesa të tjera.
Si pasojë e zjarrit, dy banesa janë shkrumbuar plotësisht, ndërsa një tjetër është djegur pjesërisht. Sipas shefit të zjarrfikësve të Lushnjës, dyshohet se zjarri ka qenë aksidental, por për shkaqet e sakta pritet ekspertiza përfundimtare.
© SYRI.net