Gjykata e Durrësit vendosi 'arrest në burg' për drejtorin e arrestuar të burgut të Durrësit Indrit Cërloj dhe 'arrest në shtëpi' për mjeken e institucionit Ylfete Sema, duke lënë kështu në fuqi vendimin paraprak për këta dy shtetas.
Ndërkaq të shtunën gjykata e Durrësit la në qeli 3 nga 8 të arrestuarit e tjerë për arratisjen e Altin Ndocit, ndërsa dy të tjerë u lanë arrest shtëpie dhe tre detyrim paraqitjeje.
“Ishte caktuar më parë masa e arrestit në burg dhe gjykata vendosi vazhdimin e kësaj mase. Jemi dakord që është ngjarje e rëndë, ka cenuar sigurinë e sistemit të drejtësisë, por përgjegjësia është personale, individuale dhe çmojmë se kemi të bëjmë me interpretim të gabuar të ligjit në lidhje me detyrën që ka një drejtor. Akuza që ka drejtori i IEVP është ka firmosur një shkresë nga sektori i shëndetësisë që do shkonte për vizitë një i paraburgosur, dhe e pyesin ‘pse nuk e ke verifikuar nëse e ka bërë vizitën apo jo mjeku i IEVP’. Kjo është gjithë akuza që ka drejtori, ne do ta ankimojmë rastin”, u shpreh avokati i Cërlojt, Ndriçim Troplini.
Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore ndërsa akuzohet nga SPAK për përkrahja e autorit të krimit, konkretisht shtetasit Talo Çela, gjatë viteve 2020 – 2021 në qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, në lidhje me vrasjen e Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia.
Po ashtu ai akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
© SYRI.net