Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protestuesit rrethojnë kryeministrinë

Hakeruan sistemin e SPAK e përgjuan si 'grup kriminal'! Në GJKKO dosja e ish kreut të Burgjeve e bashkëpunëtorët

12:27, 15/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

SPAK çon në GJKKO dosjen e ish drejtorit të Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili dhe dy ish bashkëpunëtorët e tij, Zambak Gjoni dhe  Arnold Rrokaj pasi akuzohen se hakeruan sistemin e SPAK për të marrë  të dhëna për persona të ndryshëm dhe i shpërndanë tek të tretët.

SPAK thotë se Agim Ismaili, Arnold Rrokaj me detyrë të mëparshme punonjës pranë IMT dhe Zambak Gjoni, me profesion jurist, ish-zyrtar i burgjeve kanë vepruar si 'grup i strukturuar kriminal' duke hyrë në mënyrë të  paautorizuar në sistemin kompjuterik të SPAK dhe përgjuar dosjet. 

SPAK ka zbardhur dhe rolin e secilit prej tyre por nuk ka dhënë informacion se cili ishte interesi i këtyre tre personave të marrin të dhëna nga dosjet e 3 prokurorëve.

Ka qenë Arnold Rrokaj i cili ka hakuar sistemin dhe materialet ia ka dërguar Zambak Gjonit dhe Agim Ismailit, të cilët i kanë shperndarë më pas tek persona të tretë.

SPAK thotë se hakeri kishte përgjuar dhe dosjen e vetë  Agim Ismailit i cili pasi u njoh me përmbajtjen e këtyre të dhënave, i shpërndau ato më tej, por edhe kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar gjetjen e të dhënave për persona të ndryshëm.

 Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj u identifikuan në një kohë të shpejtë (brenda 24 orësh) dhe u arrestuan menjëherë duke parandaluar kështu dhe shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore. Arrestimi i tyre u krye në prill 2025 dhe ata vijojnë të jenë nën masën 'arrest me burg' ndërsa Agim Ismaili u hetua në gjëndje të lirë.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.277/1/1 datë 02.07.2025 në ngarkim të të pandehurve:

Arnold Rrokaj i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, paragrafi i dytë dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 192/b paragrafi 2, 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Zambak Gjoni i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Agim Ismaili i hetuar në gjendje të lirë dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

I pandehuri Arnold Rrokaj, aksesoi në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një pjesë e të cilave u dërguan në mënyrë të paligjshme tek të pandehurit, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët i shperndajnë ato më pas tek persona të tretë.

Shtetasit Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj u identifikuan në një kohë të shpejtë (brenda 24 orësh) dhe u arrestuan menjëherë duke parandaluar kështu dhe shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.

Si rezultat i veprimeve te shumta hetimore dhe analizimit te tyre, akuzat u zgjeruan dhe për veprën penale të përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike në ngarkim të shtetasit, Agim Ismaili, i cili pasi u njoh me përmbajtjen e këtyre të dhënave, i shpërndau ato më tej, por edhe kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar gjetjen e të dhënave për persona të ndryshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco