Gjykata Kushtetuese ka zbardhur të plotë vendimin e saj, lidhur me praktikën e ndjekur nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, në sekuestrimin e një telefoni celular.
Në vendimmarrjen e trupës gjykuese të gjyqtarëve të Kushtetueses, thuhet se cenohet liria dhe fshehtësia e korrespondencës, ashtu sikurse të dhënat personale, në praktikën e ndjekur nga Prokuroria e Posaçme.
Në vendimin prej afro 60 faqe, Gjykata Kushtetuese në përfundim të shqyrtimit të rastit, urdhëron SPAK që të bëjë asgjësimin i kopjeve të korrespondencës dhe të dhënave personale që nuk lidhen me objektin e hetimit penal, por nga ana tjetër lejon vijimin e mbajtjes në sekuestro të kopjeve të korrespondencës dhe të të dhënave personale që lidhen me atë hetim, duke ia nënshtruar kontrollit gjyqësor.
Gjithashtu, është urdhëruar zbatimi i garancive procedurale për vijimin e mbajtjes nën sekuestro të celularit dhe është ngarkuar SPAK për ekzekutimin e këtij vendimi brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij, duke respektuar gjithë garancitë procedurale sipas arsyetimit.
Vendimi u mor unanimisht nga të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi u mor mbi bazën e rastit të paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që efektet e tij pritet të shtrihen më gjerësisht në praktikën e ndjekur nga SPAK për sekuestrimin dhe këqyrjen e telefonave celularë, në lidhje me dyshime apo çështje të ndryshme penale.
© SYRI.net