Një ditë pas arratisjes së Altin Ndocit një tjetër skandal zbulohet në sistemin e burgjeve.
Fatmir Pjetri, një nga të arrestuarit si pjesëtar i bandës së “Babagjyshëve” ka publikuar një video në Instagram ku denoncon autoritetet e burgjeve se po e pengojnë të promovojnë librin që ai ka shkruar.
Në videomesazhin e tij, Pjetri promovon librin ‘Jetë e guximshme’.
Nuk dihet si ka arritur ta realizojë regjistrimin e audios, i takon autoriteteve ta verifikojnë. Por nëse i burgosuri ka telefon madje dhe linjë interneti për të hyrë në Instagram nga qelia, ky do të ishe një tjetër skandal.
Në shtator 2019 Fatmir (Fatjon) Pjetri u ekstradua nga Holanda pasi ishte dënuar nga GJKKO me 30 vjet burg për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku u grabit një argjendari. Pas kësaj ngjarje ai u arrestua në 24 nëntor të 2017. Pjetri kryente çdo grabitje pa lënë gjurmë, pa shkaktuar viktima dhe në një kohë prej 3 minutash.
Ish deputeti i PD-së, sot avokat, Asllan Dogjani i ftuar sot në studion e “Kafe Shqeto’ në Syri TV ka denoncuar skemën korruptive që ndodh brenda sistemit të burgjeve, aty ku grupet kriminale thotë ai janë fuqizuar si rezultat i kapjes së sistemit dhe korrupsionit brenda në burgje.
‘Aq shumë janë fuqizuar grupet sa ndonjë ditë mund të sulmojnë dhe burgjet me ndonjë dron, minë me sahat. Korrupsioni në burgje është i jashtëzakonshëm. Për të futur një celular në burg duhet të paguash 1 mijë euro tek drejtuesit, 500 euro në muaj të mbash telefonin në burg, 3 mijë euro për një leje për të shkuar në shtëpi.
Kemi një situatë shumë të rëndë si rezultat i kapjes së sistemit dhe korrupsionit brenda në burgje. Policët e burgjeve kanë frikë të hyjnë të kontrollojnë kur shefi i tyre i lejon të hyjë thika”.
© SYRI.net