Arratisje në spitalin e Durrësit. Altin Ndoci, në burg prej majit 2020 me urdhër të SPAK, ishte shoqëruar për vizita mjekësore. I burgosuri ka goditur efektivin dhe është larguar me shpejtësi. 5 efektivë e shoqëronin, njëri shofer. 2 efektivë shkuan brenda në spital dhe 2 ishin te furgoni
Është arratisur ditën e sotme nga reparti i Infektivit në Spitalin e Durrësit i burgosuri Altin Ndoci, i cili që prej vitit 2020 mbahej i izoluar në IEVP Durrës me urdhër të SPAK.
Altin Ndoci është shoqëruar nga 5 efektivë të burgjeve, njëri prej tyre shofer, për të kryer një vizitë mjekësore, e cila ishte e planifikuar. Vizitat e të burgosurve bëhen në një sektor të posaçëm në Spitalin e Durrësit.
2 prej efektivëve që e shoqëronin janë futur brenda në ambientet e spitalit. Altin Ndoci u ka kërkuar që të shkonte në tualet dhe është shoqëruar nga policia e burgjeve. Pasi ka dalë nga tualeti, ka goditur me grusht një prej efektivëve dhe është larguar me vrap nga kati i 3-të duke zbritur nga shkallët.
Efektivi i cili është goditur, ka vrapuar pas tij dhe ka qëlluar në ajër në oborrin e spitalit të Durrësit për ta trembur, por Altin Ndoci ia ka mbathur. Ka dyshime se Ndoci ia ka mbathur në drejtim të zonës së Spitallës.
Në një deklaratë paraprake, Drejtoria e Burgjeve tha se pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali.
Burimet shpjegojnë se i arratisuri ka qëlluar policin që e shoqëronte në dhomë dhe është larguar me shpejtësi nga kati i tretë i infektivit duke zbritur nëpërmjet shkallëve.
Në parkimin e spitalit e priste një Audi luksoz A7 dhe më pas janë larguar në drejtim të Spitallës.
“Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në deklaratë.
Ndoci akuzohet për masakrën e Bradsheshit ku mbeti i vrarë vëllai i Erion Alibejt, si edhe për vrasjen e Andi Zylifit dhe Ardit Uruçit. Ai dyshohet se është pjesë e grupit të Çopjave. Sakaq, në zona të ndryshme të qytetit janë ngritur postoblloqe.

© SYRI.net