Vetëm pak ditë pas përmbytjes së Durrësit dhe rrethinave të qytetit, prokuroria ka sekuestruar dokumentat e tenderit për ndërtimin e hidrovorit të Porto Romanos, me vlerë 19 milionë euro. Oficerë të prokurorisë janë parë në ambientet e bashkisë, të cilët kanë sekuestruar një sërë dokumentash, përfshirë dhe dokumenta që lidhen me aktivitete të tjera për marrjen e masave për të shmangur të tilla situata.
Durrësi dhe rrethinat e tij janë përmbytur dhjetra herë gjatë viteve të fundit, me dëme kolosale për familjet dhe tokat bujqësore. Megjithatë, reagimi i institucioneve duket i ngadaltë, ndërsa përveç humbjeve materiale, qytetarët ankohen për mungesën e përgjegjësisë për skandalet infrastrukturore që i kanë lënë qytetin të pambrojtur.
Vetëm pak ditë pas përmbytjes së fundit, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetime për tenderin e hidrovorit të Porto Romanos, projekt i cili ka kushtuar 19 milionë euro dhe ka qenë i ndjekur me kritika për menaxhimin dhe transparencën. Oficerë të prokurorisë janë parë në ambientet e bashkisë duke sekuestruar dokumenta që lidhen me kontratën, si dhe materialet e aktiviteteve për marrjen e masave për të shmangur përmbytjet.
Qytetarë dhe ekspertë lokalë theksojnë se indikacionet për dështimin e hidrovorit ishin të qarta që më parë, por veprimet e prokurorisë vijnë vetëm pas dëmit të madh, duke nxjerrë në pah një vonesë shqetësuese në përgjegjësinë institucionale.
Hetimi pritet të analizojë kontratat dhe mënyrën e ekzekutimit të projektit, për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje ligjore ose keqmenaxhim, ndërkohë që familjet e prekura nga përmbytjet presin përgjigje dhe masa konkrete për të parandaluar katastrofa të ngjashme në të ardhmen.
Gazetarja Albana Aliaj raporton për Syri TV se, nga përmbytjet që ndodhën në qytetin e Durrësit, prokuroria ka nisur hetimet për përcaktimin e shkaqeve të përmbytjeve në qytet. “Me miliona euro dëm, ndërkohë që vetëm mëngjesin e kësaj të hëne është sekuestruar dokumentacioni që lidhet me ndërtimin e hidrovorit të ri në Porto Romano, me vlerë rreth 19 milionë euro,” thekson gazetarja.
Burime për Syri TV bëjnë me dije se janë sekuestruar disa dokumenta, ndër të cilat është edhe hartimi i studimit të projektit për rehabilitimin e infrastrukturës që lidhet me kullimin e zonës në Porto Romano Kënetë. Ky sistem lidhet me ujërat e rrjedhshëm dhe ujërat e shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit, kundrejt një procedimi të rindërtimit me fond prej limit 87 milionë lekë.
Vlera të shumta lidhen me rindërtimin e portit të ri në Porto Romano në Durrës. Gjithashtu, janë marrë edhe në Bashkinë e Durrësit të gjitha procedurat tenderuese për hidrovorin dhe dokumentat për zbatimin e projektit. Prokuroria dyshon se hidrovori nuk ka funksionuar, dhe për pasojë janë shkaktuar këto përmbytje.
“Nga çfarë kemi parë në terren, dhe nga komunikimi me emergjencat civile, uji është tërhequr tanimë pas ditës së tretë të përmbytjeve, por situata mbetet problematike, pasi janë dëmtuar shumë banesa. Rreth 800 banesa janë përmbytur, dhe dëmet janë të shumta; pothuajse të gjithë pajisjet elektrike dhe shtëpiake në katet e para janë jashtë funksioni. Banorët janë strehuar tek fqinjët, të afërmit dhe në zona hoteliere, ndërsa vetëm sot rreth 200 persona kanë mundur të kthehen në banesat e tyre. Aktualisht, 345 persona vazhdojnë të jenë të strehuar në hotele dhe pranë kampit të emergjencës,” raporton gazetarja.
Në terren vazhdojnë të verifikohen dëmet. Janë bërë edhe komunikime me biznese, ku është konstatuar mungesa e një VKM-je për të vlerësuar dëmet e bizneseve dhe pajisjeve të tyre, gjë që ka shkaktuar irritim tek pronarët, pasi dëmet janë të shumta.
Prokuroria e Durrësit vijon hetimet për të përcaktuar shkallën e përgjegjësive dhe arsyet e mosfunksionimit të hidrovoreve, që dyshohet se kanë kontribuar drejtpërdrejt në përmbytjet e mëdha të qytetit.
© SYRI.net