Ylli dhe Altin Meçe babë e bir, banorë të fshatit Vjosë të Fierit, janë dhunuar barbarisht, dhe për këtë akuzojnë një efektiv polici. Pavarësisht se shkaqet sipas Altin Meçes, vijnë mbi arsye banale, efektivi në vend të denoncimit ka zgjedhur me sa duket vetëgjyqësinë.
Në një intervistë sot për ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV nga spitali Altin Meçe tregon si e identifikoi se njëri prej 3 autorëve që e dhunuan mbrëmjen e 10 janarit 2026 ishte Fredi Lamaj.
“Njëri nga ata është bashkëfshatari im Fredi Lamaj. Më kanë dhunuar në derën e shtëpisë. Unë jam paralajmëruar me një mesazh në telefon. Meqë ishte me uniform iu duk vetja shumë I fortë. Për një like në facebook të dhunohesh në shtëpinë tënde, jo vetëm unë por dhe babai 80 vjeç. Distanca nga dera e shtëpisë tek porta e oborrit është 60 metra. Në momentin që fiken dritat më thërrasin emrin tim. Unë mendova se ishte vëllai im. Ndërkohë njëri më përsëriti mesazhin: Tani do e marrësh vesh kush jam unë e më qëllojnë direkt.
Dy - 3 orë para ngjarjes më shkruajti në mesazh: “Nuk e di me kë ke të bësh dhe nuk e di me kë je mpleksur dhe ofendime”
Meçe tregon dhe gjëndjen e tij shëndetësore.
“Jam shumë I rënduar. Kam shembje trupi. Më kanë qëlluar shumë keq në çdo pjesë të trupit. Sot do të vijnë mjekët për një riekzanimin.
Altin Meçe pretendon se pas dhunës, autorët janë larguar nga vendngjarja, ndërsa i kanë marrë edhe telefonin celular.
46 vjeçari është ende i tronditiur nga ngjajra e cila edhe pse jeton prej vitesh në Gjermani, në një shtet të huaj, nuk është përballur me një dhunë të tillë si ajo pikërisht në derën e banesës së tij në vendlindje
“Nuk e di unë jam emigrant prej kaq vitesh dhe atje nuk ndodhin gjëra të tilla. Ndodhin këtu. Kjo është dhunim banese e dhunim personi. Qëlluan dhe babanë tim, 80 vjeç”
Deri tani kolegët e dhunuesit të dyshuar nuk kanë marrë asnjë masë për ndalimin e tij, teksa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se po hetojmë rastin.
46 vjeçari kërkon që drejtësia të bëjë punën e vet me qëllim që kjo histori të mos kthehet në një konflikt personal mes familjeve të fshatit Vjosë.
“Fëmijët e mi janë të shqetësuar. Pres që ai të marrë dënimin. Kam besim tek drejtësia. Se ai ka njerëz në atë fshat dhe unë dua të flas me babanë e tij nesër”
Familjarët e të plagosurit pohojnë se Altini jeton dhe punon prej mbi 5 vjet me familjen në Gjermani ku ndodhet edhe bashkëshortja dhe fëmijët e tij. Ai kishte ardhur në Shqipëri për të vizituar familjen në 20 dhjetor.
© SYRI.net