Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, është finalizuar ekstradimi nga Gjermania drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Sokol Ndreka, 51 vjeç, i dënuar me 6 vite burgim. Operacioni u realizua si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale mes specialistëve të Drejtorisë së Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden/Gjermani, në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Sokol Ndreka ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vitin 2024, e ka dënuar me 6 vite heqje lirie për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Sipas hetimeve, më datë 31 tetor 2022, në rrugën dytësore Tiranë–Durrës, Policia konstatoi në një automjet 15 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm. Nga veprimet hetimore rezultoi se Ndreka ishte i përfshirë drejtpërdrejt në aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të emigrantëve.
Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, u bë i mundur arrestimi i tij në Gjermani dhe më pas ekstradimi drejt Shqipërisë, ku ai do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.
© SYRI.net