Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “Brands 2”.
Si rezultat i hetimeve dhe administrimit të informacioneve operative, në Kamëz u zbulua një magazinë ku stampoheshin veshje dhe këpucë të kontrabanduara me logo false të markave të njohura ndërkombëtare.
Gjatë operacionit, Policia arrestoi shtetasin turk Ozkan Sulun, 46 vjeç, ndërsa shpalli në kërkim shtetasin turk Mehmet Karçiga, 50 vjeç. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për 3 punonjëse të magazinës, shtetaset L. M., Sh. M. dhe Sh. B.
Në ndërhyrje morën pjesë shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, me mbështetjen e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”. Gjatë kontrollit, u konstatuan sasi të mëdha mallrash që dyshohet se kanë shmangur detyrimet doganore, si dhe makineri për falsifikimin, printimin dhe stampimin e logove të markave të njohura.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasi të mëdha veshjesh dhe këpucësh, makineri lazeri, pajisje printimi dhe stampimi, stampa dhe logo të markave ndërkombëtare, 1 aparat celular, si dhe sende e dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit 50-vjeçar të shpallur në kërkim. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
© SYRI.net