Gazetarja e Syri TV në Elbasan, Margarita Mëhillka raportoi për dy raste të makinave të bllokuara nga bora në fshatrat e thella malore.
Një automjet me 3 persona ka mbetur i bllokuar si pasojë e borës në fshatin Shmil të Elbasanit. Personat kanë kërkuar ndihmë por është e vështirë për shkak të terrenit.
Edhe në Gramsh u raportua për një rast të bllokimit nga bora në mes të maleve, por më pas u mësua se kishin arritur të shpëtonin nga familjarët që u kishin ardhur në ndihmë.
Çfarë u raportua fillimisht?
Një automjet tip fuoristradë, me tre persona brenda, ka mbetur i bllokuar mes dëborës në aksin rrugor Kukur – Rovje, në zonën malore të Gramshit. Trashësia e dëborës në këtë segment arrin mbi 60 centimetra, duke e bërë rrugën të pakalueshme.
Personat e bllokuar janë banorë të zonës, të cilët po ktheheshin nga puna e përditshme në fshatin Kukur drejt banesave të tyre në fshatin Rovje. Reshjet e dendura të borës kanë nisur që në orët e para të mëngjesit dhe vijojnë ende me intensitet të lartë.
Banorët e mbetur në rrugë kanë apeluar për ndihmë, ndërsa prej më shumë se dy orësh ka humbur çdo kontakt me ta. Të shqetësuar për gjendjen e tyre, banorë të fshatit janë nisur në këmbë për t’i gjetur dhe për t’u ardhur në ndihmë, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.
Situata në zonë paraqitet kritike, pasi prej mëngjesit mungon edhe energjia elektrike, ndërsa rrugët janë të bllokuara. Kërkohet ndërhyrje urgjente e strukturave përkatëse për hapjen e rrugës dhe shpëtimin e personave të bllokuar.
© SYRI.net