Lajmi i fundit

'Atdheu thërret, diaspora përgjigjet'/ Mijëra emigrantë mbërrijnë në Tiranë, kërkohet largimi i Ramës

Rama inauguronte rrugën, familja në Durrës ‘notonte’ brenda shtëpisë: Shteti na ka harruar, i jemi lënë fatit

14:00, 08/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një situatë dramatike paraqitet në Durrës, ku dhjetëra familje janë përballur me përmbytje masive si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Mes tyre është edhe familja Koleci, banesa e së cilës është pushtuar plotësisht nga uji, duke e kthyer katin e parë në një zonë të pabanueshme dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Ironia e hidhur qëndron në faktin se ndërsa kjo familje dhe fqinjët e saj luftonin me ujin brenda shtëpive, vetëm pak metra më tutje, Kryeministri Edi Rama inauguronte rrugën e rikonstruktuar “Azem Hajdari”.

Një kontrast i thellë mes festës zyrtare dhe realitetit të hidhur të qytetarëve të lënë në mëshirë të fatit.

Besim Koleci, kryefamiljari, në një lidhje direkte për SYRI TV, shprehet se prej dy ditësh familja e tij ndodhet nën ujë dhe se niveli vetëm sa vjen e rritet.

“Çdo gjë që kemi nëpër shtëpi ka marrë fund,” deklaron ai, duke theksuar se gjithçka është shkatërruar. Ai fajëson drejtpërdrejt neglizhencën e shtetit për situatën e krijuar. “Ka 30 vjet që banojmë këtu dhe kjo gjendje s’ka qenë kurrë. Kjo nuk është për fajin e Zotit, por të neglizhencës së shtetit,” shton ai, i dëshpëruar.

Sipas dëshmisë së banorit, pavarësisht thirrjeve drejtuar autoriteteve, si bashkisë dhe emergjencave civile, asnjë ndihmë nuk ka mbërritur në zonë. “S’është interesuar kush, a jetojmë, a s’jetojmë. Thjesht paguajmë taksat,” thotë Koleci, duke shprehur ndjenjën e braktisjes së plotë nga institucionet.

Pamjet nga brenda banesës janë rrëqethëse. Uji ka mbuluar çdo cep, duke dëmtuar mobiljet dhe orenditë shtëpiake. Familjarët lëvizin me vështirësi brenda asaj që dikur ishte shtëpia e tyre. Përballë kësaj situate alarmante, shpresa e vetme e tyre mbetet ndalja e shiut, pasi siç thonë ata vetë, besimin tek shteti e kanë humbur plotësisht.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco