Që në orët e para të mëngjesit një situatë alarmante është krijuar në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri, pas reshjeve intensive të shiut dhe rritjes së prurjeve të lumit Erzen. Si pasojë, lumi ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar probleme serioze në disa segmente të argjinaturës.
Në disa zona, uji ka kaluar mbi argjinaturë, ndërsa në pika të tjera është konstatuar çarja e saj, çka ka sjellë përmbytjen e zonave të banuara dhe tokave bujqësore. Në terren janë angazhuar grupe pune dhe mjete të rënda për ndërhyrje në argjinaturë dhe përballimin e situatës.
Në njësinë administrative Katund i Ri, konkretisht në fshatin Erzen, çarja e argjinaturës ka sjellë përmbytje të konsiderueshme, duke e bërë të nevojshëm evakuimin e banorëve nga zonat më të rrezikuara. Përmbytje janë evidentuar edhe në fshatrat Katund i Ri, Katund Sukth dhe Fllakë. Sipas të dhënave paraprake, rreth 500 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur në këtë njësi administrative.
Ndërkohë, në njësinë administrative Sukth, përmbytjet kanë prekur një pjesë të qytetit, kryesisht zonat pranë lumit Erzen si dhe lagjet 2, 3 dhe 4, duke shkaktuar vështirësi për banorët dhe qarkullimin rrugor. Po ashtu, janë përmbytur rreth 2000 hektarë tokë bujqësore në zonat e Sukthit, Hamallajt, Rrushkullit, Perlatit, Kullës dhe Vadardhës.
Sipas autoriteteve hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt janë vënë në funksion për të përballuar flukset e larta të ujit, ndërsa situata vijon të mbetet problematike në disa zona.
© SYRI.net