Një tjetër skandal i rëndë i menaxhimit të emergjencave dhe një tjetër dëshmi e braktisjes së qytetarëve nga shteti raportohet nga Durrësi, konkretisht nga zona e ish-Kënetës, ku një banesë dykatëshe është përmbytur thuajse tërësisht në katin e parë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke e bërë të pamundur jetesën.
Kujtojmë se Durrësi drejtohet nga kryebashkiakë socialistë prej 26 vitesh.
Gazetari Klajdi Bodlli me kameran e Syri Tv ishte në banesën e zotit Adriatik në zonën e ish Kënetës ku niveli i ujit nuk ka lëvizur që prej ditës së djeshme. Uji ka pushtuar jo vetëm oborrin, por edhe ambientet e brendshme të banesës, duke nxjerrë jashtë funksionit parketin, mobiliet dhe gjithë katin e parë.
Sipas pronarit të shtëpisë, përmbytja ka nisur pas orës 01:00 të ditës së djeshme dhe prej asaj kohe situata nuk ka ndryshuar aspak. Ai thekson se prej rreth 30 vitesh që jeton në këtë zonë, nuk ka përjetuar kurrë një situatë të tillë.
Për shkak të rrezikut serioz, qytetari është detyruar të largojë familjen nga banesa dhe ta çojë në Tiranë, ndërsa vetë ka mbetur vetëm, në një shtëpi të përmbytur dhe të pabanueshme.
Përballë një situate emergjente, ku uji nuk largohet dhe dëmet shtohen nga ora në orë, qytetari ka kontaktuar drejtpërdrejt ministrin e Mbrojtjes, Piro Vengu, duke i kërkuar ndihmë konkrete: një pompë për largimin e ujit nga banesa dhe oborri.
Sipas dëshmisë së tij, ministri Vengu e ka telefonuar personalisht për rreth 27 sekonda, i ka kërkuar lokacionin dhe i ka premtuar se do ta ndihmonte. Qytetari ia ka dërguar menjëherë lokacionin, por në terren nuk ka mbërritur askush.
'Unë zotërisë i çova i një mesazh dhe i thashë, "Përshëndetje", thashë, "më ndihmon dot", thashë, "me një pompë ujti?" Edhe më mori në telefon 27 sekonda. Më tha, "më nis lokacionin". E nisa lokacionin e adresës. S'erdhi kush. S'erdhi kush edhe në mjes i çova një mesazh i thashë, "Mirëmëngjes", thashë, "faleminderit", thashë, "për ndihmën tënde po s'erdhi kush". Ia çova dhe videon e shtëpisë. Edhe atëherë vazhdoi komunikimi tjetër, ku di unë çfarë ka shkruajtur zotëria. "Jemi ende", thotë, "në terren, në Shkozetin e Kënetës, kemi evakuuar 250 familje". Thotë, "jemi ende, jemi", thotë, "ende në terren, pranë zonave të banuara, në Shkozet dhe Kënetë, kemi evakuuar 250 familje derisa të stabilizohet situata. Do e sjell pompën patjetër".
Komunikimi është ditën e sotme në orën 7:53 minuta.'-shprehet ai për Syri TV
Edhe mëngjesin e sotëm, në orën 07:53, qytetari ka vijuar komunikimin me ministrin, duke i dërguar mesazh, dhe video nga banesa e përmbytur. Përgjigjja e marrë nga ministri ishte se strukturat ishin ende në terren, në Shkozet dhe në zonën e Kënetës, ku sipas tij ishin evakuuar 250 familje, dhe se pompa do të sillhej “patjetër”. Por ndërkohë që ora shënonte 18:06, asnjë pompë, asnjë strukturë dhe asnjë ndihmë nuk kishte mbërritur në këtë banesë.
Qytetari shprehet i dëshpëruar dhe i braktisur:“Asnjë gjë fare. Çfarë të bëj unë i shkreti? Më thoni ju.”
Gazetari raporton se qytetari ka tentuar të kontaktojë edhe strukturat e emergjencës dhe institucionet e qarkut të Durrësit, por pa asnjë përgjigje.
Sipas tij, numrat e emergjencës janë jofunksionalë, telefonatat bien, por askush nuk i hap. Në pamundësi totale për të marrë ndihmë nga shteti, qytetari ka kontaktuar median që të vijë dhe ta shohë situatën nga afër.
Nga pamjet që sjell SYRI TV brenda banesës, shihet qartë niveli i ujit që ka pushtuar ambientet. Parketi është shkatërruar dhe kati i parë është plotësisht jashtë përdorimit. Pronari ka tentuar të largojë ujin me pompat që ka pasur vetë, por pa sukses.
Në oborr, niveli i ujit është edhe më i lartë. Janë vendosur thasë me rërë për të frenuar depërtimin e mëtejshëm, por uji mbetet i njëjtë në të gjithë hapësirën përreth, përfshirë edhe rrugicën që të çon drejt banesës.
Gazetari thekson se kjo është një nga banesat me dëmet më të mëdha të konstatuara gjatë ditës së sotme në zonën e Shkozetit dhe ish-Kënetës, ku prej orëve të mëngjesit po raportohet nga terreni.
Sipas banorëve, përmbytjet nuk kanë ardhur si pasojë e intensitetit të reshjeve, të cilat kanë zgjatur vetëm pak minuta, por si rezultat i bllokimit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, që nuk kanë përballuar dot sasinë e ujit dhe kanë shpërthyer, duke përmbytur dhjetëra banesa në zonat e Kënetës dhe Spitallës.
Ndërkohë që reshjet rrezikojnë të përsëriten, pa ndërhyrje dhe pa masa konkrete, situata pritet të përkeqësohet ndjeshëm, duke e bërë të pamundur jetesën për dhjetëra familje.
Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e emergjencave civile dhe përgjegjësinë politike të institucioneve shtetërore. Kur edhe pas një kontakti të drejtpërdrejtë me ministrin e Mbrojtjes, ndihma mbetet vetëm në mesazhe dhe premtime, ndërsa qytetari vazhdon të jetojë mes ujit dhe dëmit, atëherë flitet qartë për braktisje dhe dështim shtetëror.

© SYRI.net