Shtëpi dhe toka bujqësore nën ujë nga bllokimi i kanaleve kulluese, si paraqitet situata në Elbasan

15:02, 07/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Reshjet intensive të shiut kanë zhytur nën ujë disa zona të vendit, duke krijuar një situatë alarmante sidomos në qarkun e Elbasanit. Dhjetëra familje janë përballur me përmbytjen e banesave dhe tokave bujqësore, ndërsa denoncojnë se shkaku kryesor nuk është vetëm moti i keq, por neglizhenca institucionale dhe mos-pastrimi i kanaleve kulluese.

Sipas raportimit të gazetares së SYRI Margarita Mëhillka situata paraqitet veçanërisht kritike në fshatin Jagodinë, ku uji ka vërshuar jo vetëm në oborre, por edhe brenda shtëpive, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke shkatërruar prodhimet bujqësore.

Të njëjtat problematika raportohen edhe brenda në qytetin e Elbasanit, në zonën e ish-Uzinës 12, ku bllokimi i një kanali pas punimeve të kryera nga një firmë private ka lënë pesë banesa nën pushtetin e ujit. Sipas banorëve të prekur, kjo është një tragjedi e paralajmëruar që përsëritet sa herë ka reshje intensive.

Ata drejtojnë gishtin nga autoritetet lokale për mosmirëmbajtjen e kanaleve, të cilat të bllokuara, nuk arrijnë të përballojnë fluksin e ujit. 

Sipas gazetares në terren, mungesa e ndihmës nga emergjencat civile apo bashkia është e dukshme. Shumë banorë kanë mbetur të izoluar, duke u përpjekur me forcat e tyre apo me ndihmën e fqinjëve për të larguar ujin nga banesat.

Sipas Mëhillkës një situatë e ngjashme është raportuar edhe në Belsh, ku vetëm ndërprerja e reshjeve solli përmirësimin e situatës, dhe jo ndërhyrja e institucioneve. 

Raportimi i gazetares Margarita Mëhillka:

Ndodhemi pikërisht në fshatin Jagodinë, aty ku dhe morëm informacionin se ishte bërë dëmtimi më i madh nga përmbytjet. Në fakt është shkaktuar jo nga shiu, por nga mungesa e pastrimit të kanaleve kulluese të zonave përkatëse. Në fakt është një situatë e cila ka përfshirë të gjithë qarkun e Elbasanit në problematika të shumta me ujë i cili është futur jo vetëm në oborret e banesave por dhe brenda tyre duke dëmtuar në fakt edhe një pjesë të objekteve që ndodheshin brenda banesave, por jo vetëm. Në fakt uji është raportuar se është futur dhe në tokat bujqësore të zonës së Jagodinës dhe të Murriqanit duke shkatërruar në fakt të gjithë prodhimet bujqësore të zonës si lakra por edhe prodhime të tjera. Banorët janë shprehur të shqetësuar për këtë situatë dhe se është hera e disatë që ndodh.

Sa herë ka reshje, ndonëse nuk është ky shkaku kryesor i përmbytjes së banesave të tyre, pasi shkaku kryesor sipas banorëve është bllokimi i kanaleve kulluese të cilët nuk janë pastruar prej kohësh. Në fakt janë marrë dhe masat pasi tragjedia ka ndodhur, pasi janë përmbytur le të themi, shumica e tokave bujqësore siç është një pas krahëve të mi, ashtu edhe izolimi i disa banesave. Ne kemi mundur të marrim në fakt edhe disa banorë të zonës të cilët shprehen se kanë mbetur të izoluar brenda banesave të tyre duke qenë se nuk kanë asnjë mënyrë si të dalin jashtë pasi uji është futur në të gjithë oborrin e tyre por dhe në pjesën e murit rrethues duke e bërë të pamundur kalimin e tyre nga banesa për t'u lidhur me pjesën tjetër të vendit.

Në fakt ka pasur gjithashtu dhe inerte në rrugë, në akset kryesore nacionale Elbasan-Librazhd, në kthesat e Murrashit, në rrugën Gjergjan-Murriqan dhe prani të shtuar të ujit, gjë e cila ka vështirësuar dhe qarkullimin. Por ajo që mbetet më problematike në fakt është hyrja e ujit brenda banesave të qytetarëve. E njëjta situatë ka qenë dhe mëngjesin e sotëm, një situatë të cilën ne e kemi ndjekur dhe nga afër ku pesë banesa në zonën e ish-uzinës 12 në qytetin e Elbasanit janë përfshirë në fakt nga uji, i cili ka hyrë në banesat e tyre për shkak të bllokimit të kanalit kryesor kullues të zonës. Kjo si pasojë edhe e punimeve nga firma Salillari.

Në fakt është bërë dhe pastrimi i kanalit vetëm pasi uji ka hyrë në banesa dhe në një prej magazinave të banorëve të zonës duke krijuar kështu dhe dëme të konsiderueshme si në zahiretë të cilat ata i kishin brenda, por dhe në materialet e ndërtimit që ndodheshin në atë magazinë.

Në fakt, banorët thonë se e vetmja zgjidhje presin që uji të largohet vetë, por është parë vetëm në disa segmente të caktuara që fadromat të pastrojnë kanalet vetëm pasi ka ndodhur e gjithë situata, por sërish edhe pse situata vijon të mbetet alarmante dhe siç duket pas krahëve të mi, toka të tëra janë të pushtuara nga uji, sërish në zonë nuk kemi një prani të emergjencave civile apo edhe për të ndihmuar banorët.

Ata shprehen se shumica prej tyre janë munduar që vetë me forcat e tyre apo nga fqinjët të ndihmohen për të nxjerrë ujin nga banesat me anë të pompave, por nga ana e emergjencave civile apo e bashkisë nuk ka pasur asnjë ndihmë. Në fakt është raportuar dhe një situatë e ngjashme në qytetin e Belshit ku dhjetëra banorë kanë kërkuar dhe ndihmën e emergjencave civile, por fatmirësisht le të themi, mungesa e shiut ka bërë që volumi i ujit në kanalet kulluese të pakësohet për të thënë që është vetë natyra ajo që e ka përmirësuar situatën dhe jo ana e instancave përkatëse. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco