Nga Fabrizio Brignone, LA GUIDA
Tregtia e drogës sillte fitime të mira; ajo menaxhohej në mënyrë efikase edhe përmes mesazheve dhe rrjeteve sociale, ndërsa fitimet dërgoheshin në Shqipëri.
Karabinierët e kompanisë Alba, të koordinuar nga Prokuroria e Astit në Itali, u kanë dorëzuar 18 njoftime për përfundimin e hetimeve paraprake po aq shtetasve italianë dhe shqiptarë, si rezultat i hetimit kompleks “Pater – Turnover 2”, që zgjati rreth një vit.
Gjithçka kishte nisur me arrestimin në flagrancë të njërit prej të dyshuarve, në maj të vitit 2024.
“Verifikimet pasuese – shpjegojnë karabinierët – bënë të mundur rindërtimin e një sistemi të rrjedhshëm të shpërndarjes me pakicë të kokainës, të menaxhuar drejtpërdrejt nga shtetas shqiptarë që banonin në Shqipëri, të cilët, përmes aplikacioneve të mesazheve të menjëhershme dhe rrjeteve sociale, organizonin nga distanca shpërndarjen e lëndës narkotike në Itali”.
Shitësit e drogës në zonën e Albës ishin italianë, ose të rinj shqiptarë që vinin në Itali me vizë turistike tremujore, për t’u kthyer më pas në Shqipëri.
Një “qarkullim” (turnover) i tillë e bënte më të vështirë punën hetimore dhe më të pakapshëm autorët e veprave penale si edhe kontaktet e tyre në territor.
Gjithashtu ishte ngritur një sistem për pastrimin e parave të fituara, të cilat përmes transfertave të tipit money transfer, në shuma të barabarta ose më të vogla se 999 euro, dërgoheshin te drejtuesit e organizatës kriminale në Shqipëri ose te persona të lidhur me ta.
Llogaritja e flukseve financiare çon në një shumë mbi 120.000 euro.
© SYRI.net