Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Duo”, në kuadër të veprimeve për zbardhjen e vjedhjeve dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre.
Gjatë kësaj jave, dy shtetas dyshohet se kanë kryer disa vjedhje në dyqane të ndryshme në kryeqytet, duke marrë para dhe pajisje elektronike.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 4 dhe Nr. 2 kanë bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e shtetasve E. C., 38 vjeç dhe M. F., 40 vjeç, të dy banues në Durrës.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Duo”, në vijim të operacioneve për zbardhjen e vjedhjeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre, para përgjegjësisë penale.
Gjatë kësaj jave, vodhën para dhe pajisje, në 3 dyqane, identifikohen dhe arrestohen 2 shtetas.
Sekuestrohet automjeti që përdorej për kryerjen e vjedhjeve.
Në kuadër të veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas kallëzimeve të qytetarëve, për vjedhje të pronës/pasurisë së tyre, shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 4 dhe Nr. 2 finalizuan operacionin e koduar “Duo”, gjatë të cilit u lokalizuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. C., 38 vjeç dhe M. F., 40 vjeç, të dy banues në Durrës.
Nga hetimet dyshohet se 2 shtetasit, më datë 15.12.2025, kanë vjedhur 8 pajisje elektronike, në një dyqan në Yzberisht, më datë 17.12.2025, kanë vjedhur një shumë parash, në një dyqan në rrugën “Bardhyl”, dhe më datë 19.12.2025, kanë vjedhur 1 pajisje elektronike, në një dyqan në Rrugën e Kavajës.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net