Një operacion ndërkombëtar i koordinuar ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Podgoricës ka rezultuar me arrestimin e shtetasit shqiptar Magiljan Deda, 31 vjeç, i lindur në Lezhë, dhe ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Bëhet fjalë për Magiljan Dedën, 31 vjeç, me origjinë nga Lezha, i cili u arrestua në Mal të Zi, pasi kërkohej nga drejtësia shqiptare për kultivim të bimëve narkotike. Gjykata e Lezhës kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të kultivimit të kanabisit në bashkëpunim. Aktualisht, autoritetet shqiptare dhe ato malazeze po ndjekin procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Arrestimi i Dedës është pjesë e operacionit policor të koduar “Vakumi”, i zhvilluar në muajin prill. Nga hetimet rezulton se ai, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishte kultivuar rreth 1 640 bimë kanabisi në zonat Gocaj dhe Rraboshte, ndërsa gjatë ndërhyrjes policore u sekuestruan afro 34 kilogramë lëndë narkotike e paketuar për shitje.
Më 18 prill, Policia e Lezhës arrestoi në flagrancë tre persona – Gjovan Gjinin, Agustin Çotajn dhe Pashk Ndrecën – të kapur në dy sera me kanabis, ndërsa Magiljan Deda dhe një shtetas tjetër u shpallën në kërkim. Hetimet zbuluan gjithashtu lidhjen e tyre me David Ndoj dhe Mir Ndoj, të ndaluar një ditë më herët, më 17 prill, teksa transportonin rreth 34 kilogramë kanabis, i sekuestruar po në kuadër të këtij operacioni.
Njoftimi i policisë:
Arrestohet në Mal të Zi dhe ekstradohet në Shqipëri, një 31-vjeçar i akuzuar si bashkautor i kultivimit të mijëra bimëve narkotike, në disa fshatra të qarkut Lezhë, këtë vit.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Podgoricës, u kap në Mal të Zi dhe u ekstradua në Shqipëri shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, M. D., 31 vjeç, i lindur në Lezhë.
Në muajin prill të këtij viti, Gjykata e Lezhës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Shtetasi M. D. akuzohet se ka kultivuar, në bashkëpunim me shtetasit e identifikuar gjatë operacionit policor të koduar “Vakumi”, mijëra bimë narkotike në fshatrat Gocaj dhe Rraboshtë, Lezhë, të cilat janë përpunuar më pas me qëllim shitjen.
Shitja e lëndës narkotike u parandalua si rezultat i ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë së Lezhës, në kuadër të operacionit “Vakumi”, të cilat sekuestruan në fshatin Balldre, në muajin prill të këtij viti, 3 thasë me rreth 34 kg cannabis.
© SYRI.net