Një mashtrim në tregun e produkteve dentare ka përfunduar me arrestimin e një 27-vjeçari në Tiranë.
Shtetasi K. Sh., ish-punonjës i një kompanie dentare, dyshohet se ka blerë produkte duke u prezantuar si përfaqësues i kompanisë ku kishte punuar më parë dhe më pas i ka shitur në klinika, përfitimet nga kjo veprimtari të cilat arrijnë rreth 12 000 euro.
Materialet janë referuar tashmë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizon operacionin policor të koduar “Reputacioni”.
Blinte produkte dentare, duke mashtruar furnitorë, se ishte përfaqësues i një kompanie në këtë fushë (në të cilën kishte punuar më parë), arrestohet 27-vjeçari.
Dokumentohet se nga shitja në klinika dentare, e produkteve të blera nëpërmjet mashtrimit, 27-vjeçari ka përfituar rreth 12 000 euro.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të përfaqësuesve të një kompanie dentare, se një shtetas i paautorizuar prej tyre, ish punonjës në këtë subjekt, vijonte të blinte dhe të shiste produkte në emër të kompanisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Reputacioni”.
Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka mashtruar furnitorë të produkteve dentare, duke u prezantuar si përfaqësues i kompanisë në këtë fushë, në të cilën kishte punuar më parë, për të blerë produkte, të cilat më pas i shiste në klinika. Nga kjo veprimtari e kundërligjshme, 27-vjeçari dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash (të dokumentuara deri tani, rreth 12 000 euro).
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net