Nga Alba Kepi - Syri
Në orët e para të mëngjesit, me urdhër të Prokurorisë së Republikës, Drejtoria Antimafia e Firences, Guardia di Finanza e Firences, në bashkëpunim me Shërbimin Qendror për Hetimin e Kriminalitetit të Organizuar (SCICO), kanë ekzekutuar një operacion të gjerë antidrogë në provincat e Firences dhe Sienës.
Operacioni çoi në ekzekutimin e 9 masave sigurie personale, nga të cilat 8 arrestime me burg dhe 1 arrest shtëpie, ndaj personave të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale italo-shqiptare në trafikun e lëndëve narkotike.
Sipas hetimeve, dy shtetas shqiptarë, banues në Castelfiorentino (FI) dhe Colle Val d’Elsa (SI), konsiderohen krerët e organizatës, të cilët drejtonin strategjitë e furnizimit, menaxhonin depot e drogës, përcaktonin çmimet e shitjes dhe organizonin shpërndarjen e lëndës narkotike. Rrjeti kishte baza operative në Toskanë dhe kanale furnizimi në Lombardi.
Grupi kriminal karakterizohej nga një strukturë familjare shumë e mbyllur, me mekanizma mbrojtës për të shmangur hetimet dhe përdorimin e sistemeve moderne të komunikimit të koduar, çka e bënte organizatën veçanërisht të rrezikshme dhe të vështirë për t’u depërtuar.
Disa nga të arrestuarit rezultonin të punësuar formalisht si shoferë furgonësh në kompani transporti për llogari të tretëve dhe shfrytëzonin këtë aktivitet si mbulim për shpërndarjen e drogës, duke e fshehur atë në pako plastike që imitonin dërgesa të një kompanie të njohur ndërkombëtare të transportit.
Hetimet kishin nisur në prill të vitit 2023 pas sekuestrimit të 20 kilogramëve kokainë në San Gimignano (SI), ku u arrestuan një shtetas italian dhe një shqiptar. Vijimi i hetimeve nga Grupi për Hetimin e Kriminalitetit të Organizuar (GICO) zbuloi një rrjet kriminal më të gjerë dhe të pavarur nga organizatat e tjera të njohura më parë.
Gjatë viteve 2023–2024, autoritetet kanë sekuestruar gjithsej 17 kg kokainë, 18 kg hashash dhe 1 kg marijuanë, ndërsa 3 persona janë arrestuar në flagrancë, të cilët rezultojnë gjithashtu subjekt i masave të sotme për pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Në kuadër të operacionit janë duke u kryer edhe kontrolle dhe kontrolle personale, për gjetjen e provave dhe përfitimeve që lidhen me veprimtarinë e narkotrafikut. /Syri.net/
© SYRI.net