Autoritetet italiane kanë shënuar një tjetër goditje të fortë ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës. Komanda Provinciale e Guardia di Finanza e Reggio Calabrias, në bashkëpunim me Zyrën e Agjencisë së Doganave të Gioia Tauro, ka sekuestruar 248 kilogramë kokainë të pastër në portin strategjik të Gioia Tauro.
Operacioni është pjesë e një strategjie të gjerë për forcimin e kontrolleve në zonën portuale gjatë kësaj periudhe të fundit të vitit, me qëllim identifikimin e kontejnerëve të përdorur nga rrjetet kriminale për futjen e lëndëve narkotike në Evropë, mes mijëra ngarkesave që përpunohen çdo ditë në port.
Gazetarja Alba Kepi raporton për Syri Televizion, se gjatë veprimeve kontrolluese, efektivët e Grupit të Guardia di Finanza të Gioia Tauro dhe specialistët e doganave përzgjodhën dy kontejnerë të ardhur nga vende përtej oqeanit, që transportonin automjete të përdorura dhe thasë me suzam.
Kontejnerët u skanuan fillimisht me pajisje radiogjene dhe më pas iu nënshtruan kontrolleve të detajuara fizike, me mbështetjen e njësive antidrogë.
Nga inspektimet u zbuluan 217 pako kokainë, të fshehura me kujdes brenda kontejnerëve, me një peshë totale prej 248 kg. Lënda narkotike ishte maskuar për t’iu shmangur kontrolleve doganore dhe policore të ushtruara në port.
Sipas vlerësimeve të autoriteteve, kjo sasi kokaine do t’u kishte siguruar organizatave kriminale fitime të paligjshme rreth 40 milionë euro.
Vetëm gjatë këtij viti, në portin e Gioia Tauro në Kalabri janë sekuestruar rreth 4.8 tonë lëndë narkotike, shifër që tashmë ka tejkaluar totalin e regjistruar gjatë vitit 2024.
FOTO GALERI:
© SYRI.net