Shtatë qytetarë shqiptarë që banonin në Langhirano, Parma janë mes të dyshuarve në një operacion të madh antidrogë, i cili u koordinua nga Prokuroria e Republikës në Foggia. Operacioni ka sjellë një urdhër ndalimi për 24 persona, prej të cilëve 19 janë dërguar në burg dhe 5 në arrest shtëpie me shirit elektronik. Akuzat ndaj tyre përfshijnë mbajtje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
Hetimet e karabinierëve tregojnë se një shqiptar 36-vjeçar, banues në Foggia është i dyshuar kryesor, që përdorte rrjetin e bashkatdhetarëve të tij në Langhirano për të menaxhuar një aktivitet të gjerë shpërndarjeje kokaine, e cila vinte direkt nga Bolivia. Sipas një sekuestrimi të kryer, kokaina ishte me pastërti deri në 96%.
Të rinjtë shqiptarë nga Langhirano kanë krijuar më pas një rrjet shpërndarjeje autonom, që sipas hetuesve ka gjeneruar një qarkullim shumë të konsiderueshëm. Ata u identifikuan nga karabinierët gjatë survejimeve dhe ndjekjeve ndaj kurierëve që transportonin drogën nga Veriu drejt Jugut. Llogaritet se fluksi mujor i kokainës ka qenë midis 5 dhe 10 kilogramëve vetëm për provincën e Foggias.
Drogat transportoheshin duke përdorur metoda të fshehura, si dyfishe të fshehta në automjete dhe celularë të koduar për komunikime. Paratë e fituara nga shpërndarja e drogës dërgoheshin më pas në Shqipëri përmes disa shoferëve autobusi dhe kamionësh që kryenin linjën Itali–Shqipëri.
Të dyshuarit banues në Langhirano janë: E.C., 23 vjeç; A.K., 31 vjeç; G.K., 26 vjeç; M.M., 27 vjeç; S.S., 36 vjeç; R.S., 21 vjeç dhe S.X., 23 vjeç.
© SYRI.net