Një inspektor i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në Kukës, i identifikuar si Defrim Haziraj, është arrestuar nga policia vendore, pasi akuzohet se ka kërcënuar me jetë drejtorin e institucionit ku punonte.
Sipas hetimeve, shkak i konfliktit ka qenë një gjobë e vendosur nga drejtori i IKMT ndaj djalit të xhaxhait të inspektorit, i cili po kryente gërmime pa lejen përkatëse në zonën e Krenzës, Kukës. Po ashtu, autoritetet kanë konstatuar se inspektori dyshohet për shpërdorim detyre, pasi nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar veprimtarinë e paligjshme të kushëririt të tij.
Paligjshmëria është konstatuar nga drejtuesi i IKMT-së, i cili ka urdhëruar inspektimin e zonës dhe më pas ndëshkimin administrativ të shkelësit. Ky vendim nuk është pritur mirë nga inspektori, i cili dyshohet se ka kërcënuar drejtorin e institucionit.
Përveç arrestimit të inspektorit, policia ka proceduar penalisht edhe ndërtuesin, kushëri i tij, për shkelje të ligjit në lidhje me përdorimin e tokës dhe ndërtimet pa leje. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
© SYRI.net