Vijon operacioni policor i koduar “Catch”, i zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, policia ka kapur dhe arrestuar 4 shtetas, të dënuar apo të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
1-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin J. P., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi ndaj tij Prokuroria ka lëshuar urdhër ndalimi për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
2-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kapën shtetasin A. K., 36 vjeç, i cili ishte i shpallur në kërkim. Gjykata e Tiranës e ka dënuar atë me 3 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, si dhe me 10 muaj burgim për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Po ashtu, ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Përndjekja”.
3-Po nga Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, u arrestua shtetasi A. H., 42 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 3 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.
4-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kapën gjithashtu shtetasin G. H., 41 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Apelit Gjirokastër me 5 vjet burgim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 11 muaj e 21 ditë burgim. Veprimet e mëtejshme procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Gjirokastër.
Materialet procedurale për të katër rastet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme ligjore.
© SYRI.net