Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës kundër Edi Ramës, qytetarët e kalojnë natën para kryeministrisë

SYRI TV/ ‘Piranjat’ rikthehen sërish në Spaç, aksioneri shpërthen me akuza ndaj Ilbak

22:11, 12/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas më shumë se 50 ditësh grevë, minatorët e Spaçit kanë mbetur pa punë, pasi kompania “Tete Albania” refuzoi kërkesat e tyre dhe pjesën më të madhe i pushoi nga puna. ‘Piranjat’ rikthehen sërish në minierën e bakrit, këtë herë për të folur me aksionerin e kompanisë, Bertan Berkpinar, i cili akuzon vëllezërit Ilbak për mashtrim, keqmenaxhim dhe veprime të paligjshme që e kanë çuar kompaninë drejt kolapsit. Ai thekson se ndaj minatorëve shqiptar është bërë padrejtësi, ndërsa kërkon ndërhyrjen urgjente të qeverisë shqiptare dhe hetimin e plotë të aktivitetit të firmës

Prej më shumë se 50 ditësh, minatorët e Spaçit qëndruan në grevë, duke kërkuar paga dhe kushte më të mira pune. Por beteja e tyre u mbyll pa fitore, pasi jo vetëm që nuk u morën parasysh kërkesat e tyre, por dhjetëra punëtorë u pushuan nga kompania “Tete Albania”, e kontrolluar 51% nga vëllezërit turq Murat dhe Mustafa Ilbak, ndërsa punimet në minierë vijuan pa u ndalur. Disa minator vendosën të rikthehen në punë, për shkak të kushteve ekonomike, ndërsa atyre iu ofruan kontrata që i detyronin të pranonin se nuk kishin marrë pjesë në grevë dhe se ishin të kënaqur me kushtet, ndërsa greva etiketohej e paligjshme. Aksioneri me 49% i kompanisë, Bertan Berkpinar, i cili më herët ka qenë pronari i vetëm, deklaron se minatorët dhe vetë ai po trajtohen padrejtësisht.

 “Mirditën e kanë braktisur… I kanë detyruar t’i pranojnë kushtet me dhunë, duke i lënë pa bukë. Por kjo gjë nuk do u sjelli hajër.”

Berkpinar rrëfen historinë e ortakërisë me vëllezërit Ilbak, që nisi në vitin 2016, kur ai u detyrua t’u shiste 50% të aksioneve. Më vonë ai transferoi edhe 1% të pjesës së tij tek Ilbak, në mënyrë që këta të fundit të siguronin konsolidimin e nevojshëm financiar për funksionimin e kompanisë, mirëpo paratë nuk u shpenzuan për këtë gjë, por kaluan direkt në llogarinë e Ilbak Holding, dhe kështu banka BKT turke i gjobiti me 100 mijë dollarë. Berkpinar pohon se në vitin 2021, Ilbak i ka faturuar vetes 4 milionë euro “konsulencë”, duke synuar ta largonin nga kompania.

“Më hoqën nga bordi drejtues pa të drejtë ligjore. Të gjitha veprimet që kanë kryer janë ilegale.”

Berkpinar thotë se aktualisht kompania po shkon drejt kolapsit për shkak të keqmenaxhimit.

“Tani kapacitetet janë shumë të ulëta. Ilbak nuk ka eksperiencë në nxjerrjen e mineraleve. Punonjësit shqiptarë janë vënë në pozita të vështira.”

Ai kujton se dikur kushtet në minierë ishin të standardizuara, me ambiente të rregulluara dhe marrëdhënie të mira mes punonjësve; sot, sipas tij, punëtorët ndahen në “të nënës dhe të njerkës”. Në fund, ai i bën thirrje qeverisë shqiptare të ndërhyjë.

“Zyra tatimore duhet t’i kontrollojë llogaritë më me detaje. Kryeministri Edi Rama duhet të kontrollojë çfarë po ndodh në këtë kompani.”

Ndërkohë, minatorët e Spaçit mbeten pa punë dhe pa zgjidhje, ndërsa beteja për të drejtat e tyre pritet të vijojë në dyert e gjykatave turke dhe shqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco