Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës kundër Edi Ramës, qytetarët e kalojnë natën para kryeministrisë

Burrel / Finalja e një sage 7-vjeçare: Institucionet përballen me skandalin dhe Afërdita shkon drejt ribashkimit me djalin

21:21, 12/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Udhëtimi i radhës i Piranjave drejt Burrelit vjen pas shpërthimit të një skandali institucional që ka tronditur opinionin publik. Historia e 25-vjeçares Afërdita, e cila prej shtatë vitesh nuk ka mundur të marrë djalin e saj, u transmetua gjerësisht, duke u shndërruar në simbol të dështimit të strukturave shtetërore për të mbrojtur të drejtat elementare të një nëne.

Për herë të parë, pas një mobilizimi të madh publik, institucionet duket se po e marrin çështjen seriozisht. Mbështetja që mori e reja nga qytetarët bëri presion mbi autoritetet, të cilat u detyruan të reagojnë për një situatë që ka lënë pasoja të rënda emocionale, sociale e ligjore.

Punonjëset sociale në fokus: A kanë ato licencë për ushtrimin e funksionit?

Një nga pikat më të nxehta të këtij investigimi lidhet me dy punonjëset sociale të Bashkisë së Matit, të cilat kanë qenë të pranishme në të gjitha seancat e ekzekutimit të vendimit për marrjen e fëmijës. Specialistët e fushës ngrejnë dyshime serioze nëse këto punonjëse kanë licencën e duhur për të ushtruar një detyrë kaq delikate.

Gjatë përballjes, njëra prej tyre deklaron se “nuk është punonjëse sociale”, por “shefe e punonjëseve sociale”, duke shtuar më shumë pikëpyetje mbi ligjshmërinë e rolit të saj.

Paralelisht me hetimet administrative që pritet të nisin, ngrihet edhe një dilemë morale: si është e mundur që për vite me radhë këto punonjëse kanë takuar, vlerësuar dhe shpesh përbuzur një nënë që kërkonte vetëm të drejtën për fëmijën e saj?

Operacioni në Burgajet: Policia për herë të parë ndërhyn seriozisht

Kësaj radhe, policia shoqëroi gjyshin 70-vjeçar, Hamitin, në mjetet e saj zyrtare drejt fshatit Burgajet, aty ku jeton fëmija. Skena ishte e pazakontë: përmbarimi, policia, punonjëset sociale dhe psikologia u bashkuan për të ekzekutuar vendimin e gjykatës.

Afërdita, e cila rikthehej në shtëpinë e burrit të ndjerë pas shumë vitesh, u përball me një situatë të tensionuar, ku gjyshërit nisën rezistencën verbale ndaj autoriteteve.

Psikologia nënvizoi se fëmija është thellësisht i indoktrinuar, ndërsa sjellja e gjyshes dhe ndërhyrjet e shpeshta në sy të fëmijës po rëndonin më shumë situatën.

Deklarata tronditëse e gjyshit: “Edhe sikur të vdesë, në arkivol do ta sjell”

Në mes të procesit, gjyshi Hamit bëri deklaratën më shqetësuese të ditës:

“Edhe të më vdesë rrugës, unë në arkivol do ta sjell në Burrel.”

Kjo deklaratë ngriti alarm tek policia dhe psikologia, të cilët paralajmëruan se ajo përbën shkak për veprime të tjera ligjore dhe se sjellja e tij është e rrezikshme dhe e dyshimtë.

Data 9 Dhjetor Dita e vendimit final

Më 9 dhjetor, ekipi u rikthye drejt Burrelit për ekzekutimin përfundimtar të vendimit. Afërdita shprehu frikë dhe mungesë besimi, duke përmendur kërcënimin e Hamitit për “arkivolin”.

Kësaj radhe, policia kishte forca të shtuara dhe protokoll të plotë të masave të sigurisë. Takimi u zhvillua te Pallati i Kulturës, ku shumë familjarë të gjyshërve kishin dalë për të filmuar momentin.

Në këtë atmosferë të tensionuar, gjyshja Evladie nuk arriti të nxjerrë fëmijën nga makina, duke tentuar të largohej. Policia ndërhyri menjëherë dhe e detyroi atë të paraqitej për dorëzimin e fëmijës.

Momenti i marrjes së fëmijës më i vështiri për të gjithë

Dorëzimi i fëmijës, siç pritej, ishte momenti më i dhimbshëm i gjithë procesit. Pas viteve të ndikimit emocional dhe propagandës së gjyshërve, për fëmijën nëna shihej si personi që “po e merrte prej tyre”. Refuzimi, frika dhe tensioni e bënë situatën të rëndë.

Por, ndryshe nga herët e tjera, këtë herë policia dhe përmbarimi nuk kishin më asnjë tolerim.

Vendimi duhej ekzekutuar dhe ashtu ndodhi.Afërdita më në fund është në shtëpinë e saj e lumtur më shumë se asnjëherë. Bashkë me të birin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco