Një tjetër ngjarje e rëndë me protagonistë shqiptarë ka tronditur Italinë. Policia ka arrestuar 30-vjeçarin shqiptar Alfred Hoxha, pas të shtënave me armë që ndodhën pasditen e djeshme në Mogliano Veneto, në provincën e Trevisos.
Sipas mediave italiane, karabinierët e Njësisë Hetimore të Komandës Provinciale të Trevisos kanë ndaluar Hoxhën, banues në Mestre, me precedentë penalë dhe qëndrim të parregullt në territorin italian. Ai akuzohet për mbajtje të armës pa leje dhe pjesëmarrje në rrahje të organizuar.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën Italo Svevo, ku një grup shqiptarësh që i përkisnin dy bandave rivale janë përfshirë në një përleshje të dhunshme me thika dhe armë zjarri. Gjatë konfliktit, janë qëlluar tre herë me pistoletë, por fatmirësisht asnjë plumb nuk ka plagosur persona të pranishëm. Tre pjesëmarrës, mes tyre edhe Hoxha, kanë mbetur të plagosur nga goditje me thikë.
Sipas komandantit të karabinierëve të Trevisos, kolonelit Massimo Ribaudo, përplasja lidhet me konflikte të brendshme mes grupeve shqiptare që veprojnë në zonën e Mestre e Trevisos.
Pas të shtënave, 30-vjeçari është larguar nga vendngjarja dhe ka fshehur armën në një fushë me barishte pranë parkimit. Hetimet e shpejta të policisë kanë çuar në gjetjen dhe sekuestrimin e një pistolete gjysmëautomatike ‘Blow TR17’, një replikë e modifikuar e ‘Glock’-ut, pa numër serial dhe pa shenja identifikuese.
Sipas hetimeve, pikërisht me këtë armë Hoxha ka qëlluar tre herë gjatë përleshjes.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, Alfred Hoxha është dërguar në paraburgimin e Trevisos, në dispozicion të Prokurorisë italiane, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të identifikuar pjesëtarët e tjerë të bandave shqiptare të përfshira në përleshje.
Policia italiane po punon për të zbardhur motivet e konfliktit dhe strukturën e rrjeteve kriminale shqiptare që veprojnë në veri të Italisë.
© SYRI.net