VIDEO/ ‘Pistoletën dhe fishekët do ua lë 3300 euro’, ‘Piranjat’ kapin trafikantin e armëve në mes të Fierit

20:55, 17/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 

Pas disa ditësh investigime të thelluara, ‘Piranjat’ në bashkëpunim me Policinë e Fierit kapën në mes të qytetit trafikantin e armëve, Milasin Ramaj. 38-vjeçari ishte i njohur në qytet pasi administronte një biznes Piceri Hallall, por jo vetëm. Ai njihej gjerësisht dhe kishte krijuar popullaritet në zonë për sa i përket fushës së trafikimit të armëve të zjarrit.

‘Piranjat’, sinjalet e para për aktivitetin e këtij zotërie i morën nga një denoncues anonim, banues në Fier. Shqetësimi i tij ishte real, edhe për shkak të rritjes së fenomenit të shit-blerjes së armëve në qytet.

Pas informacioneve sipërfaqësore, grupi i emisionit investigativ lidhi kontakte me individë që mund të afronin tek trafikanti, me pretekstin e blerjes së një arme zjarri pistoletë e tipit Walther, prodhim gjerman, vintage. Gjithashtu në kontakt u vu edhe Policia e Fierit për të dhënat që gazetarët dispononin dhe për infiltrimin që do të përdornin për të arritur deri tek shkëmbimi armë-para.

Takimi u bë pranë Bashkisë së qytetit. Zotëria ofronte pistoletën me çmim 3500euro dhe një kuti me 50 fishekë me çmim 125 euro. Të infiltruarit e ‘Piranjave’ gjatë diskutimeve me trafikantin ranë dakord që gjithçka të blihej për 3300 euro, ndërkohë që trafikanti premtoi se mund të gjente edhe kallashnikov, prodhim kinez, poliçani ose rus, por sipas tij kjo gjë kërkonte pak ditë kohë.

Pasi u ra dakord për pistoletën dhe kutinë e fishekëve me vlerë totale 3300 euro, trafikanti niset për të marrë ‘plaçkën’ dhe kthehet brenda 10 minutave. Kishte rënë errësira. Bashkë me të infiltruarit e ‘Piranjave’ ata bëjnë xhiro nëpër qytet me makinën e trafikantit, ndërkohë shohin edhe armën në fjalë. Plani ishte bërë. Arma do të blihej, por paratë ndodheshin tek makina, pak metra larg. Në këto momente grupi i xhirimit të ‘Piranjave’ së bashku me agjentë të Policisë së Fierit, me në krye shefin e Komisariatit, ndërmarrin aksionin për ndalimin dhe arrestimin e të dyshuarit Milasin Ramaj.

Pas arrestimit, për gazetarin Freardin Rista, 38-vjeçari mohoi ta kryente këtë aktivitet të paligjshëm, por informacionet e grupit investigativ, informacione që u ishin dhënë nga këta të fundit edhe Policisë, ishin se zotëria kishte një bazë shumë pranë vendit të arrestimit, ku mbante armë të tjera gati për shitje.

Ramaj u shoqërua në ambientet e Komisariatit për t’u marrë në pyetje lidhur me gjithçka kishin arritur të dokumentonin gazetarët, aty ku dhe tregoi për bazën që kishte në lagjen ‘Kastriot’. Policia gjeti brenda një apartamenti të pabanuar një arsenal armësh, 13 copë, pistoleta dhe kallashnikovë, armë të modifikuara për shënjestër optike dhe silenciator, krehra dhe municion luftarak, si dhe para.

Milasin Ramaj akuzohet për disa vepra penale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco