Dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 5 në Tiranë janë pezulluar nga detyra, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale ku dyshohet se kanë komunikuar në mënyrë joetike me një qytetar.
Rrethanat e sakta të kësaj çështje mbeten për tu sqaruar pasi në video nuk kuptohen arsyet e kësaj përplasje verbale dhe vetë roli i qytetarit i cili ka filmuar policët e Komisariatit të Kamzës.
“Pas publikimit të një video-je në rrjete sociale, në të cilën shfaqen 2 punonjës policie, duke komunikuar pa etikë, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka urdhëruar pezullimin nga detyra të të 2 punonjësve, përkatësisht Inspektor H. I. dhe Inspektor L. A., oficerë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 5. Gjithashtu, në zbatim të nenit 121 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor, për 2 punonjësit, për shkelje të rëndë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
© SYRI.net