Policia ka goditur dy raste të tentativës për të futur kontrabandë cigare në Shqipëri nga Porti i Durrësit, ku një shtetas dhe përgjegjësi i hotelerisë së një trageti janë proceduar penalisht.
Në total janë sekuestruar 798 steka cigare, një armë zjarri automatike AK-47, një automjet dhe dy celularë.
Njoftimi i policisë
“Bazuar në informacionet e siguruara se në një automjet mund të kishte qindra steka cigare me qëllim futjen kontrabandë në Shqipëri, shërbimet e Policisë kaluan për kontroll në vijën e dytë një automjet me drejtues shtetasin E. B. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 548 steka me paketa cigare pa pullë fiskale, të padeklaruara pranë autoriteteve doganore dhe policore, si dhe pa dokumentacion shoqërues. Në vijim të veprimeve, nga shërbimet e DVP Durrës u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit E. B., ku u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri automatike AK-47.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, kontrolli vijoi edhe në brendësi të tragetit, ku në ambientet e hotelerisë së një trageti u gjetën të fshehura 250 steka me paketa cigare, me qëllim futjen kontrabandë në Shqipëri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, i shtetasit E. B., 34 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu, u procedua penalisht për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” përgjegjësi i hotelerisë së tragetit, shtetasi E. S., 34 vjeç, banues në Durrës. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.
© SYRI.net