Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta e 49-të radhazi pritet sot në Tiranë: Rama jepe dorëheqjen

EKSKLUZIVE/ 'Sistemi korruptiv në Shqipëri' Nello Trocchia: Në Shqipëri strehohen Ndranghetistët ...

11:47, 10/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren e Syri Tv, Alba Kepi gazetari i njohur investigativ Nello Trocchia zbuloi bashkëpunimin e fshehtë mes mafies italiane dhe mafias shqiptar: “Në Shqipëri strehohen Ndranghetistët e kërkuar nga drejtësia”.

Në një mbrëmje (9 tetor) të ngarkuar me emocione dhe reflektim u prezantua në Romë, në një vend simbol të lirisë së shtypit libri “Të pathyeshmit" – Mafia shqiptare nga Roma drejt pushtimit të botës”, i autorit dhe gazetarit investigativ Nello Trocchia, me praninë e gazetarëve, magjistratëve përfaqësues të forcave të rendit, lexues dhe qytetarë të guximshëm që zgjedhin të mos heshtin përballë mafies.

Eventi u zhvillua në një vilë historike me domethënie të veçantë për qytetin e Romës: dikur pronë e boss-it të famshëm të Bandës së Maglianës, Enrico Nicoletti, ndërtesa është konfiskuar dhe ka kaluar në pronësi të Bashkisë së Romës.

Sot është selia e “Ossigeno per l’Informazione” (Osigjen për informacionin), shoqata që prej vitesh mbron gazetarët e kërcënuar  nga mafia si dhe të drejtën e çdo qytetari për t’u informuar.

Në hyrje të selisë së Ossigeno, mbi muret dhe dyert e zyrave janë ekspozuar fotografitë e 30 gazetarëve të vrarë nga mafia, me mbishkrimin;  “Kërkonin të vërtetën.”

Ky vend kuptimplotë i gazetarisë investiguese simbolizon rezistencën ndaj krimit dhe përpjekjen për të kryer të drejtën e informimit.

Intervista

Nello Trocchia dha një intervistë ekskluzive për gazetaren e Syri TV Alba Kepi

Alba Kepi, Syri TV: Nello Trocchia, jemi në Romë, në prezantimin e librit tuaj ’Të pathyeshmit’. Është hera e parë, para publikut me këtë libër apo jo?

Nello Trocchia për Syri TV: Po, ky është prezantimi i parë kombëtar i librit Të pathyeshmit. Jam shumë i kënaqur që ndodhem këtu, sepse ky është një vend ku rrëfehen historitë e gazetarëve që janë vrarë, por edhe punën e tyre, investigimet.

Ky vend – “Ossigeno” – kujdeset gjithashtu me ata gazetarë që impenjohen në këtë profesion, me vështirësitë që hasin dhe me kërcënimet që marrin. Prandaj është një vend i bukur për të folur për një libër investigativ

Alba Kepi: Libri juaj ka marrë shumë vëmendje edhe nga publiku italian, apo jo?

Nello Trocchia për Syri TV: Po, mund të them se është pritur shumë mirë. Në Itali flitet pak për mafien, sidomos në televizion, por ekziston një interes i madh nga njerëzit – qytetarë që ndjekin temat në rrjetet sociale, blejnë libra, diskutojnë. Kjo tregon se ekziston një kërkesë e fortë për dije, një dëshirë për t’u informuar.

Fatkeqësisht, televizioni – që ende mbetet mjeti që informon dhe njëkohësisht deformon më shumë – trajton rrallë këto çështje. Por fakti që ka ende njerëz të interesuar është një sinjal pozitiv.

Dua të falënderoj edhe koleget dhe kolegët shqiptarë që janë marrë me librin, që kanë dashur ta diskutojnë dhe të ngrenë pyetje. Kjo e pasuron debatin publik dhe, në njëfarë mënyre, ushqen demokracinë. Sepse demokracia nuk është diçka e ngrirë – ajo duhet ushqyer, dhe gazetaria është një nga mjetet më të rëndësishme për ta mbajtur gjallë.

Alba Kepi, Syri TV: Një pyetje e fundit – e di që publiku po pret dhe prezantimi do të fillojë menjëherë – por a ka diçka të re  që do të ishte me interes edhe për publikun shqiptar lidhur me këtë libër?

Nello Trocchia për Syri TV: Po, do të të tregoj një detaj që do ta përmend edhe sonte. Në libër flas për një personazh të quajtur Bardhi, i njohur si “Titti”. Ai është një person me precedentë të rëndësishëm penalë në disa hetime – përfshirë edhe në operacionin Vento dell’Est – dhe i lidhur me trafikun e lëndëve narkotike.

Ndërsa ne po flasim, ai është i lirë. Ka qenë i përfshirë në disa procese gjyqësore dhe, në një përgjim telefonik të para disa vitesh, fliste për miqësitë e tij me ‘Ndrangheta-n. Ai tregonte se kishte strehuar në Shqipëri një të arratisur të ‘Ndrangheta-s.

Ky episod – që e rrëfej në libër – tregon qartë bashkëpunimin e ndërsjellë mes mafieve italiane dhe botës kriminale shqiptare, madje edhe ndihmën nga ana logjistike: ata strehojnë e ndihmojnë njëri-tjetrin. Ky përgjim, që i përket vetëm pak viteve më parë, na jep një pasqyrë të qartë të këtij bashkëpunimi të vazhdueshëm midis familjeve dhe grupeve kriminale.

Gjatë prezantimit të librit Nello Trocchia theksoi gjithashtu se problemi i korrupsionit në disa vende si Shqipëria është struktural dhe i thellë:

“Asgjë më larg nga ekzagjerimi. Pse? Sepse atje në Shqipëri sistemi korruptiv është përfshirës dhe i gjithanshëm. Për shembull, autoriteti kundër korrupsionit – dhe policia gjyqësore që i përket këtij autoriteti, siç tregon prokurori Francesko Mandoi – emërohen nga qeveria. Këta kanë në dispozicion përgjimet dhe të gjitha bisedat telefonike të magjistratëve që punojnë për këtë autoritet, të ruajtura për 30 ditë. Kjo tregon një lidhje shumë të fortë që minon autonominë dhe pavarësinë e autoritetit kundër korrupsionit. Për më tepër, mungojnë masat e forta për sekuestrimin e pasurive, si ato që ekzistojnë në Italinë tonë, me legjislacion të qartë dhe efikas", u shpreh ai.

Mafia shqiptare e italianizuar

Në sallë mori fjalën edhe gazetari dhe moderatori i njohur italian Massimo Giletti, i cili foli për hetimet e tij mbi botën e tifozerive dhe për ndikimin e mafies shqiptare në ambientet sportive e jetën e natës:

“Fatmirësisht po dalin në dritë shumë gjëra që disa njerëz nuk duan t’i pranojnë. Thuhet shpesh: ‘Nuk është e mundur që emra të mëdhenj, njerëz të modës, ata që drejtojnë jetën e natës në Romë apo Milano, të kenë lidhje me ‘zotërinjtë’ shqiptarë’. Por realiteti është tjetër. 

Këtu, para meje, ndodhet një ‘i parregullt’, e shoh atje në fund. Shpesh, të parregulltit fshihen. Por ai është i vetmi që ka pasur guximin t’ia përplasë të vërtetën në fytyrë sistemit, duke zbuluar gjithçka mbi Casamonica-t. Dhe ka paguar një çmim të rëndë. Ai është i huaj.

Edhe një tjetër që tregoi guxim ishte një kameriere e huaj. Shpesh janë pikërisht të huajt ata që nuk kanë frikë të thonë të vërtetën.”

Duke iu referuar Nello Trocchia-s, Giletti shtoi me ton të fortë dhe respektues:

“Nello është një ‘i parregullt’, sepse sot shumica kanë zgjedhur të bëhen ‘të rregullt’, pjesë e sistemit. Ai, për fat, mbetet një nga të pakët që nuk pranon të heshtë.”

Moderoi këtë prezantim gazetari Atilio Bolzoni

"Ky libër, tha ai i, është një surprizë. Nello Trocchia rrëfen se Mafia shqiptare është një mafie e detit, lind e zhvillohet në det. Por është dhe një mafie e italianizuar e ndërkombëtare qe shkon nga Amerika e Jugut , në Azinë Lindore, në Lindjen e Mesme e Romë".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco