Katër të rinj nga Pogradeci, të moshave nga 17 deri në 29 vjeç, janë arrestuar pasi dyshohen se shpërndanin kokainë në qytet, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Emanuel Andoni, 29 vjeç,Dario Alinj dhe Andi Shuli, të dy 18 vjeç, si dhe një 17-vjeçar, janë ndaluar pas hetimeve të zgjatura katër muaj. Sipas informacioneve, shtetasi Andi Shuli u kap në flagrancë duke drejtuar një automjet pa leje drejtimi, ku u gjet edhe një sasi kokaine.
Në kërkim vijon të jetë L. G., 20 vjeç, që dyshohet se është bashkëpunëtor në këtë rrjet shpërndarjeje.
Gjatë veprimeve hetimore, janë sekuestruar dhjetëra doza kokaine të gatshme për shitje, dy automjete dhe dhjetë celularë që dyshohet se përdoreshin për organizimin e aktivitetit kriminal.
Njoftimi i Policisë:
Pogradec
Finalizohet pas 4 muajsh hetime, operacioni i koduar “Portions”, goditet një rast i shitjes së lëndës narkotike kokainë.
Nga hetimet, identifikohen 5 shtetas që shitnin kokainën, në qytetin e Pogradecit.
Njëri prej tyre u kap duke drejtuar pa leje drejtimi, automjetin, në të cilin u gjet një sasi kokaine.
Vihen në pranga 4 prej tyre, punohet për kapjen e bashkëpunëtorit.
Sekuestrohen dhjetëra doza kokaine, 2 automjete dhe 10 celularë, që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të punës për godtijen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve të kryera për 4 muaj, në drejtimin e Prokurorisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Portions”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", kryer në bashkëpunim, shtetasit:
E. A., 29 vjeç, D. A., 18 vjeç, A. Sh., 18 vjeç dhe një 17-vjeçar, banues në Pogradec.
Shtetasi A. Sh. u kap nga shërbimet e Policisë, ndërkohë që drejtonte automjetin, pa leje drejtimi. Gjatë kontrollit në automjet, u gjet një sasi kokaine.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. G., 20 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se këta 5 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha të ndryshme kohore, kanë shitur lëndë narkotike kokainë, në doza, në qytetin e Pogradecit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net